​Hoti për uljen e akcizës: Kjo qeveri po inkurajon qytetarët të konsumojnë duhan

Shefi i Grupit parlamentar të LDK-së Avudllah Hoti, ka thënë se kësaj qeverie i mungojnë njohuritë bazike për zhvillimin ekonomik.

Hoti thotë se me uljen e akcizës së duhanit që prodhohet në Kosovë, qeveria po inkurajon qytetarët që të konsumojnë më shumë duhan.

Ish- kandidati për kryeministër madje thotë se një politikë e tillë, nuk ka të bëjë më mbështetjen e prodhuesve vendor pasiqë në Kosovë ekziston vetëm një kompani për prodhimin e duhanit, e cila sipas tij është në bashkëpronësi me një këshilltar të kryeministrit dhe një drejtori komunal nga PSD-ja. Postimi i plotë i Hotit në Facebook.

Kjo qeveri ka deficitit të njohurive bazike për zhvillimin e ekonomisë. Kur kjo kombinohet me motivin e mbrapshtë për të përdorur pozitën publike për nevoja personale, atëherë pasojat janë fatale për pjesën më të madhe të shoqërisë. Qeveria e PAN-it e ka marrë edhe një “vendim të madh”, duke ulur akcizën në duhanin që prodhohet në Kosovë në vetëm 30% të çmimit të tregut, me arsyetim për të mbështetur prodhuesit vendor. Siç është raportuar në medie, në Kosovë ekziston vetëm një kompani prodhuese e duhanit, që është në bashkëpronësi të këshilltarit të Kryeministrit dhe një drejtori komunal nga partia e z.Ahmeti. Për sqarim, qëllimi primar i akcizës nuk është mbledhja e të hyrave për buxhetin e shtetit, por dekurajimi i konsumit të mallrave që dëmtojnë shëndetin. Prandaj, Qeveria Mustafa dy herë radhazi e ka rritur akcizën në duhan për të dekurajuar konsumin, me qëllim të mbrojtjes së shëndetit, si dhe për të barazuar akcizën në Kosovë me vendet e rajonit.

Me këtë vendim, Qeveria e PAN-it praktikisht po ju thotë qytetarëve konsumoni duhan vendor se është më pak i dëmshëm. Po të ishte qëllimi për të mbështetur prodhimin vendor, atëherë do të duhej të subvencionoheshin bujqit që prodhojnë duhanin. Bujqit do të rrisnin kultivimin e duhanit, duke ju mundësuar përpunuesve të duhanit të siguronin më lirë lëndën e parë dhe të dilnin në treg me çmime më të lira për duhanin e përpunuar.