​Haradinaj: Nuk ka lojë me kufij, s’ka mini-Rusi në Kosovë

Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës gjatë ditës sotme në Gjilan iu janë shtuar dhe 244 anëtarë të rinj.

Në entuziazmin e këtyre aderimeve u kërkua mbështetje edhe për një mandat të ri për të parin e partisë, Ramush Haradinaj.

Ky i fundit u konsiderua si personi që ka marrë vendime të mëdha në favor të Kosovës.

Kryetari i AAK-së, njëherësh kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj edhe një herë kërkoi që mos të luhet me ndryshim të kufijve, pasi kjo sipas tij, është shumë e rrezikshme, teksa tha se në Kosovë nuk mund të funksionojë një shtet brenda shtetit, duke iu referuar themelimit të asociacionit të komunave serbe.

Haradinaj kritikoi edhe ata që kanë negociuar deri më tani me Serbinë, duke thënë se ata kanë qenë në gjendje të japin tokë të Kosovës.

Duke folur për dorëheqjen e tij, Haradinaj tha se ai akt e ka ngritur Kosovën në një shkallë me lartë. Ndërkaq, për raportet e tij me ndërkombëtarët, ai tha se herën tjetër kur të shkojë në SHBA do të sjellë njohjen.

Ndërsa, nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi tha se lideri i tij partiak, Ramush Haradinaj e meriton mbështetjen e qytetarëve edhe për një mandat tjetër.

Ndërsa, kryetari i Degës së AAK-së në Gjilan, Rexhep Kadriu tha se partia e tij sot del ballëhapur e faqebardhë ndaj gjithë qytetarëve të Kosovës për punën e bërë gjatë dy vjet qeverisje.

loading…