​Berisha: Kurti po kërkon ndihmën e atyre që deri dje i ka kundërshtuar

​Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ali Berisha, thotë se është zhgënjyese që edhe pas më shumë se tre muajve prej kur janë mbajtur zgjedhjet, vendi vazhdon të jetë pa qeveri. Ai thotë se Vetëvendosje e gjendur në situatë jo të favorshme për krijimin e koalicionit, po kërkon ndihmën e shteteve të Quintit që gjithmonë i ka kundërshtuar.

Berisha në një intervistë për KosovaPress ka komentuar takimin që sot do të mbahet mes Vetëvendosjes dhe LDK-së me shtetet e Quintit, ku thotë se është një tregues që Vetëvendosja diçka tjetër flet dhe ndryshe vepron.

Ai thotë se gjithmonë nga Vetëvendosja është proklamuar se ndërhyrjet ndërkombëtare nuk duhet të jenë bazë për themelimin e institucioneve apo qeverisë, por që sipas tij kjo po del të jetë vetëm retorikë.

“Kjo që është proklamuar përpara që ndërhyrjet ndërkombëtare nuk duhet të jenë bazë për themelimin e institucioneve apo qeverisë, apo koalicioneve të caktuara po del që ka qenë vetëm retorikë. Për ne ka qenë jashtëzakonisht befasuese informacioni i mbrëmshëm që nga Vetëvendosja është kërkuar që të ndërhyjnë ndërkombëtarët apo të ketë një takim me Quintin, ku konsiderohet si një presion ndaj partnerit për themelimin e institucioneve të Kosovës”, deklaroi ai.

Berisha thotë se kryetari i Vetëvendosjes Albin Kurti, i gjendur në një situatë jo të favorshme të krijimit të koalicionit me LDK-në, po kërkon për ndihmë nga ata që deri dje i ka kundërshtuar.

Nënkryetari i AAK-së thotë se është zhgënjyese që vendi edhe pas më shumë se tre muajsh pas mbajtjes së zgjedhjeve vazhdon të jetë pa qeveri.

Ai thotë se kërkesë e tyre në vazhdimësi ka qenë që institucionet të formohen sa më shpejtë, në mënyrë që të merren me problemet me të cilat ballafaqohet vendi.

Në rast të mos arritjes së një marrëveshje për bashkëqeverisje mes Vetëvendosjes dhe LDK-së, Berisha thotë se Aleanca mbetet e hapur për të shqyrtuar të gjitha ofertat e mundshme për koalicion.

Sa i përket mundësisë që Aleanca të votojë për një qeveri të pakicës, Berisha thotë se çdo iniciativë do ta trajtojnë në organet e partisë dhe konform qëndrimeve të organeve të partisë do të veprojnë edhe deputetët e AAK-së.

Ndërsa, Berisha thotë se nuk është mirë që Kosova të ketë qeveri teknike, pasi sipas tij vendi ka tema të rëndësishme që duhet të trajtohen dhe një qeveri teknike, sipas tij, do ta kishte problem trajtimin e këtyre temave.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës si opozitë, sipas Berishës, do të përkrahë të gjitha çështjet nacionale të vendit. Ai thotë se është e rëndësishme që të fokusohen në temat dhe të ofrojnë zgjidhje për problemet dhe jo të bëhen vetëm bllokues të punës së qeverisë.

Pas zgjedhjeve të 6 tetorit, AAK ka filluar procesin e brendshëm zgjedhor, ku Berisha thotë se po ndërmarrin reforma të shumta me qëllim që të forcohen si parti.

Ai përmendi se është ndërruar statuti i partisë dhe rregulloret e partisë për zgjedhje. Berisha u shpreh se tashmë një delegat do të ketë një votë dhe kjo sipas tij, do të ndikojë që të ketë një lidership që ka besimin nga të gjitha nivelet.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në zgjedhjet e 6 tetorit doli partia e katërt me 11.51% të votave dhe në Kuvendin e Kosovës përfaqësohet me 13 deputetë.