​Arrestohen 10 persona për sulm në Mitrovicë

Policia e Kosovës ka arrestuar 10 persona të përfshirë në një incident sot rreth orës 16:00, në rrugën “Mbretëresha Teutë” në Mitrovicë.

Nga hetimet fillestare bëhet e ditur se në këtë incident janë sulmuar 11 persona nga një grup tjetër prej 10 personave, në mesin e të cilëve edhe dy të mitur.

Incidenti raportohet të ketë ndodhur pranë zyrës për shërbime dhe programe të Ministrisë së Bujqësisë, e cila ndodhet në rajonin e Mitrovicës Jugore.

Personave të përfshirë në incident në cilësi të viktimave u është ofruar tretman mjekësor, por të njëjtit kanë deklaruar se nuk kanë nevojë për tretman mjekësor.

Të gjitha veprimet hetimore i janë paraqitur dy prokurorëve të rastit të nacionalitetit serb, të cilët trajtojnë rastet për të mitur dhe të rritur, dhe rasti i iniciuar është duke u hetuar për veprën penale “sulm”.

Pas intervistimit, me urdhër të prokurorit tetë të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit policorë, përderisa ndaj dy të miturve rasti është duke u trajtuar.