Zyrtarja që kreu vrasjen e pesëfishtë në Gjilan ishte ende police

Është duke vazhduar hetimi në vendin e ngjarjes zyrtarja policore Valdete Bllaca vrau dy prindërit, dy vëllezërit dhe në fund edhe veten.

Në Gjilan janë duke qëndruar të gjitha njësitë policore të nevojshme për të hetuar këtë rast.

Para mediave janë deklaruar nga Policia e Kosovës, por edhe nga Prokuroria për atë se çfarë dihet deri më tani.

Njëri nga nënkolonelët e PK-së tha se  ngjarja është tejet e rëndë dhe me të marrë informacionin për të shtëna me armë zjarri  në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë patrulluese dhe më pas edhe Njësia e Hetimeve Rajonale, ajo e Krimeve të Rënda ku i janë bashkuar edhe Forenzika.

“Për momentin ka pak informacione pasi rasti është tejet i rëndë, në ndërkohë do të njoftoheni për të gjitha detajet. Dyshohet se vrasja është kryer me revole zyrtare të policisë. Është zyrtare policore, aktive, pra nuk ka qenë e suspenduar. Pasi kemi të bëjmë me zyrtare policore në vend të ngjarjes janë ftuar dhe kanë ardhur edhe nga Inspektorati Policor i Kosovës”, tha ai.

Ndërsa Prokurori i rastit tha se deri më tani dihet se zyrtarja policore privoi nga jeta katër familjarët në shtëpinë e saj.

“Babanë, nënën dhe dy vëllezërit, e më pas edhe veten”, shtoi Prokurori.

Kurse zëdhënësi i policisë në Gjilan, Ismet Hashani tha se janë në fazën e parë të hetimeve dhe se rrjedha e rastit është në vazhdimësi e sipër.

“Ishte police e Stacionit të Gjilanit, pra Police e Kosovës”, tha shkurt ai.