Serbi-Hungari

“Zyrtarja e Policisë së Kosovës ende është duke u intervistuar nga policia serbe”, flet pasagjeri i autobusit “Bici Com” që po mbahet në kufirin Serbi-Hungari

Disa autobusë të Kosovës, ende vazhdojnë të mbahen peng në kufirin Hungari-Serbi – kjo si shenjë hakmarrjeje ndaj mbështetjes nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.

F.Z., një qytetar i cili ndodhet në autobusin “Bici Com” ka thënë për Telegrafin, se që nga ora 11: 30, ata po mbahen të bllokuar në hyrje të Serbisë.

Ai ka thënë se zyrtarët doganorë serbë, pasi kanë bërë kontrollen e autobusit dhe dokumenteve, i kanë kthyer tek qytetarët.

Por, thekson se në autobus ndodhej një zyrtare e Policisë së Kosovës, të cilës nuk iu kanë kthyer dokumentet dhe ajo ende është duke u intervistuar.

“Ne vazhdojmë të qëndrojmë jashtë autobusit. Një qytetare e Kosovës, që është police e kanë ndalë dhe ende po mbahet brenda zyreve të doganës së Serbisë”, ka thënë qytetari.

Telegafi ka provuar të komunikojë me kompaninë “Bici Com”, për të marrë informacione më të detajuara për ngjarjen, por nuk ka mundur të marrë përgjigje.

Ndërkaq nga kompania Arbeni Tours, kanë thënë se disa autobusë që kanë qenë duke ardhur për në Kosovë, në kufirin Hungari –Serbi, janë lejuar të qarkullojnë, ndërsa autobusët që shkonin në drejtim të Hugarisë, janë ndaluar.

MPJD-ja përmes një njoftimi tha se pak orë pasi në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës më 16 prill u mbështet anëtarësimi i Kosovës, institucionet janë njoftuar se në pikën kufitare të Serbisë me Kroacinë në Batrovci, autobusët e Kosovës, që po kalonin transit, janë ndaluar nga autoritetet kufitare serbe. Po ashtu, e njëjta situatë është edhe në pikëkalimin në Shid.

“Qytetarët e Kosovës që po vinin në drejtim të Kosovës janë ndaluar edhe në kufirin me Hungarinë, në pikën kufitare në Suboticë, te vendkalimi kufitar Dheu i Bardhë [që lidh Kosovën me Serbinë] dhe nuk po lejohen as të lëvizin përpara dhe as të kthehen pas”, tha MPJD-ja.

Kjo ministri tha se udhëtarëve u janë marrë dokumentet personale si dhe ato të autobusëve.

“Po ashtu, disa prej tyre janë marrë dhe po vazhdojnë të merren në pyetje”, u tha në njoftim.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e cilësoi si “shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut” ndalimin në territorin e Serbisë të shtetasve të Kosovës, të cilët, “janë privuar nga ushqimi dhe ilaçet”.

Bashkimi Evropian e ka vlerësuar shkelje të Marrëveshjes për Lirinë e Lëvizjes veprimin e autoriteteve të Serbisë, e cila ka bllokuar qytetarët kosovarë në kufijtë e saj, teksa i ka bërë thirrje Serbisë që të përmbahet nga veprimet e tilla të njëanshme.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano ka thënë se janë duke e përcjellë nga afër situatën e krijuar.

“Ne jemi të vetëdijshëm për situatën dhe e ndjekim nga afër. Marrëveshja për Lirinë e Lëvizjes e arritur në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja përcakton parametra të qartë për hyrjen dhe daljen e qytetarëve të Kosovës në dhe nga Serbia. Situata aktuale përbën shkelje të kësaj marrëveshjeje dhe ne i bëjmë thirrje Serbisë që të përmbahet nga veprime të tilla të njëanshme dhe të pakoordinuara dhe t’i kthehet menjëherë respektimit të marrëveshjes”, ka theksuar Stano.

VIDEO BONUS: