Zyrtarja e MPJ-së gjermane shpreson në vitin 2021 t’i hiqen vizat Kosovës

Ambasadorja Susanne Schütz, e ngarkuara për Ballkanin Perëndimor në Ministrinë e Jashtme Gjermane ka thënë se Serbia duhet ta kuptojë se pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme. Schutz ka thënë se gjatë presidencës gjermane çështja e liberalizimit të vizave është futur në agjendën e Këshillit të BE’së dhe shpreson që në 2021 liberalizimi i vizave të ndodhë për kosovarët.

Diplomatja gjermane në një intervistë për DW ka deklaruar administrata e re e Biden do të shtyejë përpara bisedimet mes Kosovë dhe Serbisë.

“Interesi i Serbisë duhet të jetë të çojë përpara këtë dialog brenda kornizës së negociatave të saj të pranimit në BE. Ne e dimë që nuk është e lehtë, por besoj se Serbia gjithashtu e njeh faktin që pavarësia e Kosovës nuk mund të ndryshohet më. Ne gjithashtu nuk duhet të harrojmë se do të ketë një administratë tjetër në Shtetet e Bashkuara nga 20 janari, e cila sigurisht do t’i japë bisedimeve një shtysë të re”, ka thënë Schutz.

Zyrtarja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Gjermanisë, është shprehur se çështja e liberalizimit të vizave është futur sërish në agjendën e Këshillit të BE’së dhe shpreson se vitin tjetër regjimi i vizave do të hiqet për Kosovën.

“Në të vërtetë është një proces i vështirë, ku disa shtete anëtare të BE-së ende u duhet të kapërcejnë skepticizmin. Por edhe këtu, ne e vendosëm çështjen përsëri në axhendën e grupeve të punës të Këshillit në Bruksel, së bashku me një kërkesë për Komisionin për të siguruar informacion të mëtejshëm. Ky është një parakusht i mirë për të vazhduar bisedimet në vitin e ardhshëm dhe pastaj shpresojmë në liberalizimin e vizave dhe në fund të zbatojmë premtimin e BE-së”, ka thënë ajo.

Ajo poashtu ka thënë se opsioni i shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë nuk duhet të jetë në tavolinë.

“Roli udhëheqës i BE’së që në këtë dialog njihet nga ShBA’ja , ka theksuar në mënyrë të përsëritur nevojën për të negociuar një marrëveshje që kontribuon në stabilitet dhe nuk minon stabilitetin. Prandaj, unë shoh idenë e shkëmbimit të zonave jashtë tryezës” ,ka thënë diplomatja gjermane.