Zyrtarja amerikane me mbulesë u hoq nga fotot e takimit të Kurtit e Osmanit me Blinken, po cilësohet gjest i pafytyrë

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken ka publikuar mbrëmë fotografi nga takimi me dy drejtuesit e Republikës së Kosovës, presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti. 

Në njërën nga fotografitë e publikuara nga Blinken shihet se pjesë e ekipit të tij ka qenë edhe një zyrtare amerikane me mbulesë.

Por fotografia është retushuar nga kryeministri Kurti në postimin e publikuar në Facebook, duke e hequr apo duke mos e përfshirë fare zyrtaren amerikane me mbulesë, shkruan Demokracia.com.

Në fotografitë e publikuara nga presidentja Osmani diku kah fundi duket vetëm pjesa e pasme e kokës së amerikanes së mbuluar.

Kjo është kritikuar shumë në Kosovë. Biznesmeni i njohur Burim Piraj ka shkruar se vetëm një i pafytyrë  mund ta ndryshonte atë fotografi.

“Duhet me qenë shumë i pa fytyrë këtë foto kaq të bukur për ta ndryshuar!.#thankyouUSA”, ka shkruar Piraj në Facebook.

Edhe ish- këshilltari i kryeministrit Albin Kurti, Durim Berisha e ka kritikuar prerjen e kësaj fotografie.

“Ai qe nuk e ka perfshi foton e zyrtares amerikane me mbulese, eshte i njejti qe ton’ dita i shkon tu m’bo screenshota te postimeve te mia. Veq thash t’ju kallxoj se kush eshte dorasi i vepres”, ka shkruar Berisha.