Zyrtarisht ende s’ka nisur asnjë hetim për dosjet në OVL të UÇK-së

Në shumë vende janë shpërndarë dokumentet, të cilat një person ende i paidentifikuar i kishte dërguar në Organizatën e Veteranëve dhe Luftëtarëve të UÇK-së.

Videot janë publikuar nga nënkryetari i kësaj organizate, Nasim Haradinaj.

Për dokumentet që sipas Organizatës u janë shpërndarë edhe tri mediave, kanë ardhur të martën disa persona të cilat i kanë konfiskuar ato.

Sipas OVL të UÇK-së, dosjet u morën nga zyrtarë të Dhomave të Specializuara të Hagës, raporton KOHA.

Gjatë kohës kur ekipi i Televizionit ishte në ambientet e Organizatës së Veteranëve, këto zyra i kanë vizituar edhe 2 zyrtarë të Krimeve të Rënda të Policisë së Kosovës.

Megjithatë KOHA, nga burimet e saj ka mësuar se Prokuroria e Shtetit ende nuk e ka autorizuar asnjë hetues as për mbledhje të informatave e as nuk ka hapur rast fare.

Faton Klinaku, sekretar i OVL-së, ka thënë se zyrtarët policorë e kanë pyetur nëse ndihen të frikësuar pasi kanë pranuar pakon, por nuk janë marrë me çështjet e dokumenteve që, sipas tij, kanë lidhje me Gjykatën Speciale.

Në këto dosje janë dëshmitë e shumë njerëzve, por siç thotë OVL-ja, identiteti i tyre nuk do të zbulohet, ani pse tashmë i kanë shpërndarë kopjet e këtyre dokumenteve.

Publikimi i identitetit të dëshmitarëve të mbrojtur është vepër penale e dënueshme sipas legjislacionit në Kosovë.