Zyrtari i PSD-së tallet me Remin dhe Kurtin, publikon një fotomontazh të “komandant Kurtit”!

Aktivisti i Partisë Social Demokrate, Nol Nushi ka reaguar pas deklaratës së ish-komandantin të UÇK-së, Rrustem Mustafa i cili tha se kryeministrin Albin Kurti e kishte bashkëluftëtar në UÇK.

Nushi përmes një postimi në Facebook është tallur me deklaratën e komandant Remit duke ia publikuar një fotomontazh me Albin Kurtin në uniformë të UÇK-së.

“Fotografi historike nga grupi #mekryeministrin”, ka shkruar Nushi.

Ish-komandanti i Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa ka thënë se Albin Kurtin e ka pasur bashkëluftëtar në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Këtë gjë Remi e ka thënë kur është pyetur për deklaratën e Albin Kurtit të bërë pas darkës me Josep Borellin në Bruksel “për eleminimin e kriminelëve të luftës nga skena politike”.

Megjithatë vetë Kurti kishte thënë se nuk do ta kapte kurrë armën në dorë. Këtë deklaratë ai e ka dhënë në një dokumentar të realizuar gjatë kohës së luftës në Kosovë, ku artistë e aktivistë të ndryshëm në Prishtinë flasin për luftën dhe paqen.

“Nuk mund të kesh një luftë klasike dhe frontale, në mes të dy ushtrive. Nuk ka kësi lloj lufte. E keni parë Bosnjën, dhe e keni parë se është një nga luftërat më të tmerrshme. Shumë njerëz të pafajshëm duke vdekur. Nuk do ta kapja kurrë një armë në dorë. E kam thënë se mes luftës dhe dorëzimit preferoj zgjidhjen pa dhunë”, thotë Kurti në dokumentar.