Zyrtari i NISMA-s i reagon kandidatit të VV-së, thotë se fyeu 18 familjet që patën vdekje nga rriqrat

Vesel Krasniqi, anëtar i kryesisë së NISMA’s ka thënë se kandidati i Vetëvendosjes për deputet nga Rahoveci ka fyer 18 familjet e Malishevës që kanë humbur familjarët e tyre si pasoje e pickimit nga rriqrat.

Ky reagim i Krasniqit ka ardhur pasi Korenica krahasoi Partinë e Fatmir Limajt me rriqrat.

Rriqrat për një kohë të gjatë kanë qenë problemi kryesor në Malishevë ku kanë vdekur edhe qytetarë të kësaj komune si pasojë e pickimit të rriqrave.

NISMA për Kosovën shumicën e votave prej themelimit i merr në këtë komunë.

Vesel Krasniqi ka thënë se zyrtari i Vetëvendosjes ka përçmuar sidomos familjarët e atyre që kanë humbur jetën nga rriqrat.

“Ju që kërkuat vota nga qytetarët e Malishevës në kuadër të VV-së e sidomos ju kandidat për deputet i dështuar nga vv që fyeni qytetarët e Malishevës dhe krahasoni me rriqrat nga të cilat kanë vdekur 18 qytetar të Komunës së Malishevës, duhet të ju vie turp si një “intelektual” që na rikujtoni neve dhe familjeve që kanë humbur familjarët e tyre nga rriqrat”, ka shkruar Krasniqi, në një reagim në FB.

“Andaj juve Visar Korenica duhet të iu vie turp për fyerje të tilla që ju dhe subjekti juaj keni marrur vota edhe nga qytetarët e Malishevës, e që jam shumë i sigurt që herave tjera do ta merrni fakturën e merituar nga këta qytetarë”, ka paralajmëruar ai.

“NISMA si rriqrat – sa shumë ngjashmëri”. Ky ishte komenti i kandidatit për deputet me numër 83 në listën e Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Korenica.