Zyrtari i lartë i VV-së godet ashpër MPJ-në e Gërvallës pas deklaratës për Izraelin: Marre, dëshpëruese…

Reagimi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës lidhur me përplasjet ndërmjet Izraelit dhe Hamasit në Gaza të Palestinës nuk i ka pëlqyer një zyrtari të lartë të Lëvizjes Vetëvendosje.

Bëhet fjalë për Edison Jakurtin, ish zëvendësministër i Ekonomisë në Qeverinë Kurti I.

Jakurti e ka publikuar dje reagimin e MPJ-së së Kosovës ku thuhet se “MPJ-ja thotë se Izraeli ka të drejtën për t’u mbrojtur nga raketat e Hamasit”, shkruan Ballkani.info.

“Ky është lexim i pjesshëm dhe i njëanshëm i asaj që po ndodh atje. Marre për Ministrinë e Punëve të Jashtme. Dëshpëruese për nivelin”, ka shkruar Jakurti.

Të kujtojmë se kryeministri Albin Kurti nuk ka reaguar për përplasjet ndërmjet Hamasit dhe Izraelit, por këtë e ka bërë MPJ-ja që udhëhiqet nga Donika Gërvalla.

MPJ-ja përmes një njoftimi në Tëitter ka kërkuar të ndalet dhuna dhe të kërkohet një zgjidhje paqësore.

“Si çdo shtet Izraeli ka të drejtën dhe detyrimin për të mbrojtur popullin e tij kundër 2.000 raketave të qëlluara mbi civilët vetëm nga Hamasi, i cili po mban peng civilët palestinezë në luftën e tij. Ne vajtojmë të gjitha viktimat. Ne kërkojmë që të përmbahemi, të ndalojmë dhunën dhe të kërkojmë zgjidhje paqësore”, thuhet në njoftimin e MPJ-së.