Zyrtari i BIK: Disa shtete myslimane po mashtrohen nga Rusia e Serbia – s’ka gjë prej tyre

Pas raportimit të KosovaPress për vrasjen e një mercenari serb në Libi, i cili po luftonte në kuadër të grupit paramilitar rus Vagner, ka reaguar në facebook edhe zyrtari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Ajni Sinani.

“Disa shtete myslimane po mashtrohen nga Rusia dhe Serbia. S’ka gjë prej tyre. Këto dy shtete kanë bërë krime kundër myslimanëve. Përsëri po bëjnë. Shihni Sirinë!”, është postimi i plotë i Sinanit.

Javën e kaluar në luftime afër Tripolit të Libisë ishte vrarë Aleksa Gjuriq (Aleksa Djuric), raportuan mediet ruse, arabe e turke. Ai ishte duke luftuar në krah të forcave të Gjeneralit prorus Haftar.

Serbi i vrarë, ishte pjesë e grupi paramilitar “Vagner”, i cili udhëhiqet nga Jevgeni Prigozhin, i njohur ndryshe edhe si “Kuzhinieri i Putinit”. I njëjti akuzohet se është themeluesi dhe udhëheqësi i Agjencisë së Kërkimit në Internet (Internet Research Agency – IRA), e cila merret me ndërhyrjet e Federatës së Rusisë kryesisht në zgjedhjet e vendeve perëndimore.