Zyrtari i BE-së Charles Fires vjen në Kosovë, pritet të takohet me liderë institucionalë për shkak të situatës në veri

Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog ka njoftuar se ka mirëpritur në takim Charles Fries, nga Zyra e Sekretarit të Përgjithshëm për Sigurinë dhe Mbrojtjen e Përbashkët, Politikën dhe reagimin ndaj krizave në shërbimin evropian të veprimit të jashtëm (EEAS).

Szunyog përmes një postimi në Twitter ka thënë se me Fires kanë diskutuar për zhvillimet politike në Kosovë.

“Diskutuan zhvillimet politike, çështjet e sigurisë dhe agjendën evropiane të Kosovës. Gjatë kësaj vizite ai do të takohet me liderë institucionalë dhe Organizatave të Shoqërisë Civile të Kosovës”, ka shkruar Szunyog.

Telegrafi ditë më parë ka njoftuar për vizitën e këtij zyrtari në Kosovë, që ndërlidhet edhe me misionin e EULEX-it.

Burimet thonë se EULEX-it pritet t’i vazhdohet mandati, por kjo nuk është konfirmuar deri në këto momente as nga Bashkimi Evropian në Bruksel, e as nga institucionet e Kosovës.

Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX) ka filluar në vitin 2008 si misioni civil më i madh në kuadër të Politikës së Përbashkët të Bashkimit Evropian për Siguri dhe Mbrojtje.