Zyrtari i mbrojtës së afërt i krye parlamentarit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashit, i cili u raportua se në aeroportin e Shkupit nxori armën e tij zyrtare, në një incident që filloi me refuzimin e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, për ta dorëzuar çantën e saj dhe telefonin në skanerin e kontrollit, mund të ballafaqohet me pasoja ligjore, ka thënë kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, në një konferencë të përbashkët për media me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Siç u raportua, kur Osmani ishte ballafaquar me vështirësi nga personeli i kontrollit në aeroportin e Shkupit, kishte njoftuar kryetarin e Kuvendit, Afrim Gashin.

Ai kishte dërguar atje zyrtarë nga mbrojtja e afërt e tij.

Ata kishin shkuar dhe siç është raportuar, por ende s’ka konfirmime zyrtare, një prej tyre edhe kishte nxjerrë armën.Për këtë u pyet në konferencë nga një gazetare maqedonase Mickoski, i cili u shpreh se “nëse institucionet konstatojnë tejkalim, apo  keqpërdorim të detyrës zyrtare, ai do të përballet me drejtësinë”.

“Sa i përket pyetjes tuaj, ka institucione kompetente që do ta ndriçojnë rastin në dy pjesë. E para ka të bëjë deri në momentin kur nuk vjen personi që e theksuat dhe pjesa e dytë është pasi që vjen ky person”, pohoi Mickoski.

“Nëse institucionet theksojnë tejkalim, atëherë personi do të nxirret para drejtësisë”, përsëriti ai, duke shtuar se “askush nuk do të jetë mbi ligjin në këtë vend, askush. Jo derisa të jem unë kryeministër”./AlbanianPost/