Zyrtari hungarez: Kosova mund të llogarisë në mbështetjen tonë të plotë për vizat

Përveç ministrit të Punëve të Brendshme të Hungarisë, Sandor Pinter, në mbështetje të plotë të Kosovës për procesin e liberalizimit të vizave ka dalë edhe Ministri për Çështje Evropiane, Szabolcs Takács.

Ai këtë mbështetje për Republikën e Kosovës e ka konfirmuar pas një takimi që ka pasur me Ministren për Integrime Evropiane, Dhurata Hoxha.

“Kënaqësi të takohem me ministren për Integrime Evropiane nga Kosova. Prishtina mund të llogarisë në mbështetjen e plotë të Hungarisë për çështjen e liberalizimit të vizave. Një strategji konkurruese e BE-së për Ballkanin Perëndimor është e nevojshme për të ardhmen e Evropës”, ka shkruar ministri hungarez.

Ndryshe ministri i Punëve të Brendshme të Hungarisë,  në takimin e sotëm me ministren Hoxha, kishte thënë se liberalizimi i vizave për Kosovën do të sillte vetëm të mira.

“Ai e siguroi Ministren Hoxha se Hungaria, që nga fillimi i demokracisë, ishte krah qytetarëve të Kosovës, jo vetëm me njohjen e pavarësisë por edhe për integrim në organizatat ndërkombëtare. Pinter ritheksoi se liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës, do të sillte vetëm të mira jo vetëm për Kosovën dhe rajonin por edhe më gjerë, duke rikonfirmuar mbështetjen e gjithanshme nga Hungaria”, thuhet në komunikatën e dërguar nga ministria.

Përveç Hungarisë, mbështetje për liberalizimin e vizave për Kosovën ka dhënë edhe presidenti i Austrisë, Alexander van der Bellen, i cili ka thënë se shpreson që kjo çështje të përfundojë brenda këtij viti.

Megjithatë ditë më parë në një intervistë për Gazetën Express, raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Igor Soltes, ka pranuar se ka vende skeptike brenda BE-së, sa i përket çështjes së liberalizimit të vizave për Republikën e Kosovës.