Zyrtari antiterrorizëm Nathan A. Sales vjen në Kosovë, Shqipëri e Bosnje

Tri vendet e Ballkanit, Kosova,Shqipëria e Bosnja, janë shtetet të cilat Nathan A. Sales, Koordinator për Antiterrorizëm, do t’i vizitojë javën e ardhshme. Njoftimi është dhënë nga Departamenti Amerikan i Shtetit.

Ambasadori dhe koordinatori i antiterrorizmit, Nathan A. Sales do të udhëtojë në Bosnjë, Shqipëri dhe Kosovë ndërmjet datave 14-20 tetor, ka njoftuar faqja zyrtare e Departamentit Amerikan

“Ambasadori Nathan A. Sales, Koordinator për antiterrorizëm, do të udhëtojë në Bosnjë, Shqipëri dhe në Kosovë. Data, 14-20 tetor . Ai do të angazhohet në diskutime dypalëshe me homologët e tij mbi bashkëpunimin kundër terrorizmit, luftën kundër terrorizmit, ndjekjen penale të terroristëve dhe sigurinë kufitare”, thuhet në njoftim.

Tri vendet ballkanike janë përballur me elementë radikal pasi disa banorë të këtyre vendeve shkuan në luftëra në Siri e Irak.

Deri më tani, janë regjistruar mbi 300 luftëtarë nga Kosova që kanë shkuar në atë zonë për të luftuar për Shteti Islamik. Mbi 70 persona janë vrarë, por shumë gra dhe fëmijë vazhdojnë të mbesin në atë zonë.

Rreth 150 prej atyre që shkuan për të luftuar në Siri dhe Irak dhe u kthyen me pas në Kosovë janë në ndërkohë duke u përballur me procese gjyqësore që në disa raste çuan në dënime me burg. Disa prej tyre tashmë janë duke vuajtur dënimet e disa janë liruar.