Zyrtare: Superliga e Kosovës miraton propozimin e FIFA-s për pesë zëvendësime gjatë ndeshjes

Edhe kampionati elitar i Kosovës, Superliga ka miratuar propozimin e FIFA-s dhe klubet do kenë të drejtën e pesë zëvendësimin në vazhdimin e kampionatit, pas rifillimit të tij pas më shumë se dy muajsh shkaku i pandemisë së coronavirusit.

Bundesliga gjermane është kampionati i parë në Evropë që u rikthye në gara pas pauzës dy mujore për shkak të përhapjes së pandemisë Covid-19.

Shumë dilema ishin nëse do të rikthehet sivjet futbolli ose gjitha kampionatet do të anulohen ashtu siç bëri Franca, Belgjika, Holanda e Skocia, por pasi disa vende veç morën vendim për t’i vazhduar garat, ishte FIFA ajo që për t’ua lehtësuar punën vendosi që në ndeshjet e mbetura klubet të kenë mundësi për pesë zëvendësime gjatë një ndeshjeje, krejt kjo për t’ua mundësuar për ta përballuar me lehtë presionin pasi futbollistët kanë pauzuar bukur gjatë.

Bundesliga tashmë është duke e aplikuar këtë sistem, por të njëjtën gjë do ta bëjë edhe Superliga e Kosovës.

Në një intervistë për “Zërin”, kryetari i Komisionit të Gjyqtarëve, Përparim Hasani e ka konfirmuar aplikimin e sistemit.

“Po, do të përdorët ky sistem, pra klubet do të kenë të drejtë për t’i bërë 5 zëvendësime gjatë një ndeshjeje dhe për këtë janë të njoftuar edhe gjyqtarët”, ka thënë Hasani, duke shtuar se gjyqtarët janë gati për vazhdimin e garave.

“Sigurisht që kjo pauzë ka sjellë vështirësi edhe te gjyqtarët, por ata e kanë pasur një plan të punës se si të veprojnë gjatë kësaj kohe dhe kanë stërvitur vazhdimisht, kështu që them se janë gati”, përfundoi Përparim Hasani.