Zyrtare: Mourinho merr drejtimin e Romës

Pak orë pasi njoftoi se Paulo Fonseca nuk do të jetë në krye të ekipit për sezonin e ardhshëm, Roma ka zbuluar emrin e trajnerit të ri. Portugezi Jose Mourinho do ta drejtoj skuadrën nga Serie A prej sezonit të ardhshëm pasi Fonseca do të largohet me të përfunduar edicioni aktual.

Roma ka zyrtarizuar portugezin Mourinho, i cili ka firmosur kontratë deri në qershorin e vitit 2024. Mourinho është zyrtarizuar te Roma dy javë pas shkarkimit te skuadra e Tottenhamit për rezultate jo të mira.

Te Roma kanë bërë të ditur se në momentin që kanë kuptuar se Mourinho është i lirë, menjëherë e kanë shfrytëzuar rastin pasi portugezi vlerësohet ndër trajnerët më të suksesshëm në Evropë, me 58 trofe të fituar në total.

“Pas takimeve me pronarët, menjëherë kuptova ambiciet e tyre të mëdha që i kanë për Romën. Pasioni i pabesueshëm i tifozëve të Romës më bindi që të pranoj punën dhe mezi pres të filloj sezonin e ardhshëm”, ka thënë Mourinho.

Skuadra e Romës, aktualisht është në pozitën e shtatë në Serie A, me 55 pikë të mbledhura dhe jashtë zonës së garave evropiane kur kanë mbetur edhe katër xhiro deri në fund të këtij sezoni.