Zyrtare, FIFA nuk zgjeron Botërorin, Katar 2022 me 32 skuadra!

FIFA bën prapakthehu përsa i përket Botërorit të vitit 2022 që do të zhvillohet në Katar.

Ideja për ta zgjeruar këtë event madhështor me 48 skuadra nga 32 që janë aktualisht nuk ka marrë aprovimin përfundimtar nga institucioni më i lartë i futbollit botëror dhe është vendosur që edhe në Katar 2022 numri i ekipeve pjesëmarrëse të jetë sërish 32.

FIFA ka dalë me një komunikatë ku ka zyrtarizuar këtë vendim, ndërkohë është konfirmuar se edhe turneu do të zhvillohet vetëm në shtetin e Katarit dhe askund tjetër në Lindjen e Mesme, siç ishte hamendësuar.

Presidenti i FIFA-s Gianni Infantino kishte ndërmend të rriste numrin e kombeve pjesëmarrëse me 50%. Megjithatë, shefi zviceran është detyruar të pranojë se, për shkak të kohës së kufizuar, zgjerimi i kompeticionit në një kohë kaq të shkurtër do të ishte shumë i vështirë për t’u arrirë.

Gjithsesi, siç është vendosur më parë, numri i ekipeve do të rritet në 48 duke filluar nga viti 2026 që do të luhen në Shtetet e Bashkuara, Meksikë dhe Kanada.