Bislim Zyrapi

Zyrapi: S’kam parë dokument që ishte prezantuar për emërimin e Salih Veselit si komandant në zonën e Pashtrikut

Ish shefi i shtabit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Bislim Zyrapi, është duke e vazhduar dëshminë e tij në ditën e tretë në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Gjykatën Speciale ku është pyetur për emërimet në zonën e Pashtrikut.

Zyrapi, deklaroi se dokumentin që e prezantoi Specialja për emërime në këtë pjesë nuk e ka parë asnjëherë.

Me Rexhep Selimin, ai ka thënë se ka pasur vetëm diskutime për ndryshime në këtë pjesë, por që s’ka qenë në kompetencat e tij që të emëroj komandant të zonave.

Zyrapi, është sërish duke u intervistuar nga prokurorja Clare Lawson.

Pjesë nga intervistimi i Zyrapit në ditën e tretë:

Clare Lawson: Dokumenti mban datën 12 shkurt dhe këtu emërohet Salih Veseli si ushtrues i detyrës i komandantit në zonën e Pashtrikut. A është kjo pjesë e emërimeve që ju keni refuzuar të nënshkruani apo të pranoni?

Bislim Zyrapi: Këtë dokument asnjëherë se kam parë. E dyta dhe nuk është për të cekur se as kush do të është zëvendësues i komandantit. Nuk ishte e imja si shef shtabi që të emëroja as komandantin e brigadës, as komandantët e zonave e as komandantët e batalioneve. Ky dokument ose është nënshkruar me dhunë sepse ky dokument s’ishte paraqitur në atë takim, jo veç ky po asnjë dokument.

Clare Lawson: Pra, kemi një seri dokumentesh që mbajnë të njëjtën datë 12 shkurt, ka edhe një me emër tëndin, por s’ka nënshkrimin tuaj me sa kam kuptuar unë ju nuk keni parë këto dokumente thjesht keni biseduar me zotërin Selimi për të bërë ndryshime në zonën e Pashtrikut. A e kam kuptuar drejt?

Bislim Zyrapi: Plotësisht, ashtu është.

Clare Lawson: Dëshmitar a mund të na tregoni se çfarë arsye patet që nuk nënshkruat ndryshimet në zonën e Pashtrikut?

Bislim Zyrapi: Një ka qenë që mos të ndërroj komandantin e zonës për çështje profesionale dhe e dyta s’ka qenë në kompetenca të mija që unë të emëroj komandën e zonës./AP