Zyra presidenciale çeke shkatërroi raportin e inteligjencës mbi agjentët rusë

Policia çeke po heton nëse zyra presidenciale shkatërroi qëllimisht një raport të inteligjencës mbi përfshirjen e agjentëve rusë në shpërthimin e depozitave të municioneve të vitit 2014, raportuan mediat çeke. Sipas raportimeve të mediave, policia çeke donte të analizonte dokumentin për gjurmët e gishtërinjve dhe ADN-në për të zbuluar se kush e kishte trajtuar raportin. Dokumenti iu dorëzua zyrës së Presidentit çek në fillim të prillit të vitit 2020.

Një zbulim i tillë duket i dyshimtë pasi presidenti çek, Milosh Zeman dhe punonjësit e tij më të afërt të zyrës janë të njohur për lidhje të mira me regjimin rus. Vitin e kaluar, raporti i shërbimeve të inteligjencës çeke shkaktoi mosmarrëveshjen më të rëndë diplomatike midis Çekisë dhe Rusisë në historinë e tyre moderne, për shkak të përfshirjes së raportuar të agjentëve rusë në shpërthimin e depos së municionit, i cili vrau dy persona. Pas kësaj Çekia dëboi 18 punonjës të ambasadës ruse.

Rusia i quajti absurde argumentet çeke dhe e shpalli Çekinë një shtet armiqësor. Për më tepër, ajo ka dëbuar 20 punëtorë nga ambasada çeke në Moskë, duke e bërë ambasadën pothuajse të paaftë të përmbushë përgjegjësitë e saj diplomatike.

Kreu i zyrës së Presidentit çek, Vratislav Mynář, konfirmoi se policia çeke vizitoi zyrën për të mësuar më shumë informacion rreth raportit. Ai nuk e mohoi gjoja copëtimin e dokumentit. Megjithatë, zyra presidenciale pretendon se i ka trajtuar të gjitha dokumentet sipas rregullave ekzistuese. Komisioni i Sigurisë i Parlamentit Çek do të shqyrtojë rastin gjatë takimit të tij të së enjtes. /Ballkani.info/