Zyra e u.d. Presidentes e konfirmon se Dekreti për shpërndarjen e Kuvendit nuk u dërgua për botim në Gazetën Zyrtare

Saktësisht një muaj më parë, u.d. e Presidentes, Vjosa Osmani, nxjerri dekretin për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila konstatoi që vota e ish-deputetit Etem Arifi për formimin e Qeverisë Hoti ishte jokushtetuese. Krahas kësaj, Osmani me anë të një vendimi shpalli zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 14 shkurtit. Për dallim nga ky vendim, dekreti për shpërbërjen e Kuvendit ende sot e kësaj dite nuk është botuar në Gazetën Zyrtare. Gjykata Kushtetuese, më anë të një aktgjykimi, në vitin 2016 kishte konstatuar se asnjë akt juridik nuk mund të konsiderohet në fuqi nëse i njëjti nuk publikohet në Gazetën Zyrtare.

2 dekrete presidenciale pohohet t’i ketë nxjerrë Vjosa Osmani, si ushtruese e detyrës së Presidentit, në vetëm javën e parë të vitit 2021. Por, vetëm njëri nga aktet e Osmanit është publikuar në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, ndonëse publikimi i të gjitha akteve të Presidentit është i rregulluar me Kushtetutë.

Në mesin e dekreteve të papublikuara, është dekreti për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës, i cili deri para një jave u fsheh, dhe u publikua tek pasi Gazeta Online ‘Reporteri.net’ raportoi për të dhe publikoi një analizë juridike për shkeljet kushtetuese që u.d. Vjosa Osmani mund t’i ketë kryer duke mos i përfillur procedurat kushtetuese për shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, pas aktgjykimit të dhjetorit të vitit të shkuar të Gjykatës Kushtetuese.

Artan Murati, këshilltar ligjor i u.d. të Presidentes, duke komentuar për Gazetën Online ‘Reporteri.net’ mos publikimin në Gazetën Zyrtare të dekretit për shpërbejnë e legjislaturës së shtatë të Kuvendit të Kosovës, ka pohuar se vetë Presidenca nuk e ka përcjellë këtë akt për publikim në Gazetën Zyrtare.

Sipas Muratit një gjë e tillë nuk është praktikuar as nga paraardhësit e Vjosa Osmanit në Presidencë, dhe se publikimi nuk përcaktohet me asnjë dispozitë ligjore.

“Dekretet për shpërndarjen e Kuvendit të Republikës së Kosovës asnjëherë nuk janë publikuar në Gazetë Zyrtare, të njëjtat janë përcjellur vetëm në Kuvend dhe janë ruajtur në Arkivin e Presidencës. Për më tepër, nuk ka dispozitë kushtetuese apo ligjore që e përcakton se Dekreti i Presidentit për shpërndarjen e Kuvendit të Republikës së Kosovës duhet të publikohet në Gazetën Zyrtare”, i tha Murati të premten me e-mail.

Tutje ka shtuar se cilat dekrete publikohen në Gazetë Zyrtare, sipas tij.

“Për Dekretet që shprehimisht përcaktohet me Kushtetutë dhe me Ligje përkatëse që duhet të publikohen në Gazetë Zyrtare, Zyra e Presidentit gjithherë̈ iu ka përcjellur për publikim. Shembull: Dekreti për shpalljen e faljes individuale dërgohet për publikim në Gazetë Zyrtare në pajtim me nenin 8.1. të Ligjit Nr. 03/L-101 për Faljen, ku përcaktohet: “Presidenti shpall Falje me anë të Dekretit i cili publikohet në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës”. Por, në rastin konkret, dërgimi i Dekretit për shpërndarjen e Kuvendit në Gazetë Zyrtare nuk përcaktohet me asnjë̈ dispozitë ligjore, siç mund të dëshmohet edhe nga Dekretet e bashkangjitura”, thotë Murati, duke i bashkangjitur dy dekrete të shkuara të ish-presidenti Hashim Thaçi dhe një tjetër të ish-presidentes Atifete Jahjaga, për shpërndarjen e legjislaturave parlamentare në Kosovë.

Për dallim nga Murati që thirret në praktikat e dy ish-presidentëve, Gjykata Kushtetuese e Kosovës, në një aktgjykim të vitit 2016, nr. KO 89/16 shprehimisht thekson se asnjë akt ligjor nuk mund të hyjë në fuqi para publikimit në Gazetën Zyrtare.

Në të njëjtin aktgjykim, që vlerësonte Kushtetutshmërinë e një Udhëzimit Administrativ të Ministrisë së Shëndetësisë, të 15 majit 2015, të atakuar nga Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, Gjykata Kushtetuese publikimin e aktit ligjor në Gazetën Zyrtare e sheh si hap të fundit legjislativ dhe si kusht të domosdoshëm që një akt i tillë të jetë efektiv, që nënkupton të krijojë pasoja juridike.

Nga ana tjetër, përkundër se këshilltari ligjor i Vjosa Osmanit pretendon se në praktikë dekretet për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës nuk janë publikuar në Gazetën Zyrtare, në faqen online të Gazetës Zyrtare të Republikës së Kosovës, mund të gjendet një dekret i tillë.

Fjala është për dekretin për shpërndarjen e legjislaturës së tretë të Kuvendit të Kosovës, i nxjerrë nga ish-kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, që sikurse aktualisht Vjosa Osmani, atëbotë ishte edhe ushtrues detyre i presidentit, në periudhën shtator 2010 deri më shkurt 2011.

Krasniqi dekretin e kishte nxjerrë më 2 nëntor 2010, derisa të nesërmen, më 3 nëntor 2010, akti ishte botuar në Gazetën Zyrtare.

Gazeta Online ‘Reporteri.net’ javën që shkoi, përmes një analize ligjore, e punuar me njohës të së drejtës kushtetuese ka evidentuar disa nga pasojat e mundshme kushtetuese të mos publikimit në Gazetën Zyrtare të dekretit për shpërndarjen e Kuvendit nga ana e u.d. së Presidentes së Kosovës.

Analiza sqaron se si Gjykata Kushtetuese me aktgjykimin e lëndës nr. KO 89/16 e ka bërë të qartë se neni kushtetues 90 ku theksohet se “ligji hyn në fuqi pesëmbëdhjetë (15) ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës”, vlen për të gjitha aktet ligjore.

E në dy raste tjera, në vitin 2020, Gjykata Kushtetuese, shprehimisht kishte interpretuar se pa marrë parasysh emërtimin, dekret dhe aktet tjera, janë akte ligjore.

“Gjykata në praktikën e saj gjyqësore, në thelb, veçse është vendosur që nuk duhet fokusuar vetëm në emërtimin e një akti por në përmbajtjen dhe efektet e tij…”, thotë Kushtetuese në aktgjykimet KO54/20 dhe KO61/20, për dy vendime të ish-kryeministrit Kurti rreth masave Anti-Covid të nxjerra në vitin 2020, e që ishin emërtuar si ‘Dekrete të Kryeministrit’.

Por ky konstatim i kushtetueses u ‘sfidua’ nga zyra e u.d. Presidentes, përmes reagimit të 28 janarit 2021, ndaj Gazetës Online ‘Reporteri.net’, ku Presidenca thotë: “Vendimi dhe Dekreti janë dy lloje të ndryshme të akteve”.