Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elebert Krasniqi dhe Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Svecla në Kosovë morën pjesë në aksionin e mbylljes së katër komunave paralele serbe në jug të Kosovës. Këto komuna sipas autoriteteve kosovare, që nga paslufta po vepronin jashtëligjshëm në jug të Kosovës në qarkun e Dragashit. Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal i Kosovës, Elbert Krasniqi, tha se komunat paralele u mbyllën në fshatin Vranisht në Dragash, ku ato vepronin në një objekt të përbashkët dhe lëshonin dokumente të jashtëligjshme për qytetarët serbë të komunave Prizren, Suharekë, Rahovec dhe Dragash.

“Aktiviteti i strukturave paralele të Serbisë ka fund. Këto objekte nuk mund të ekzistojnë. Funksionaliteti i tyre është në kundërshtim me ligjin. Kosova ka komuna, të cilat janë përgjegjëse për ofrimin e shërbimeve për të gjithë qytetarët dhe ky objekt sikurse objektet e tjera që kanë vepruar në Kosovë janë jashtë juridiksionit të Kosovës dhe si të tilla nuk kanë vend në Kosovë”, tha ministri Krasniqi. Në të njetën linjë u shpreh edhe Ministri i Brendshëm Xhelal Svecla, i cili shtoi se “Institucioni i vetëm i Serbisë në Republikën e Kosovës do jetë ambasada e saj në Prishtinë”.

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Svecla mbyll komunat paralele serbeFotografi: Ministry of Internal Affairs of Kosovo

Akuza nga Serbia

I menjëhershëm ishte  reagimi i autoriteteve të Serbisë, të cilat e akuzuan kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti “frikësimin e banorëve të  kësaj komune”. “Nuk ka dyshim se bastisja në objektin e komunës u krye me urdhër direkt të Albin Kurtit, me një qëllim të vetëm, ta mbyllë atë, t’i frikësojë dhe t’i largojë punëtorët nga vendi i punës, dhe pastaj nga pragu i shtëpive të tyre, ku ata jetojnë paqësisht në harmoni, pa e prekur askënd”, thuhet në një reagim të  Zyrës së Qeverisë së Serbisë për Kosovën.

Autoritetet e Kosovës heqin billborde me politikanët serbë si Aleksandar Vuҫiq, por dhe të presidentit rus, Vladimir PutinFotografi: Ministry of Internal Affairs of Kosovo

Vetëm një ditë më parë autoritetet e Kosovës hoqën disa billborde në veri të Kosovës që mbanin fotografi të personaliteteve të ndryshme serbe, përfshirë presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuҫiq dhe Presidentin e Rusisë, Vladimir Putin.  Sipas ministrit të Brendshëm Xhelal Svecla, në territorin e Kosovës “nuk do të lejohen simbolika të personave që kanë qasje agresore ndaj Kosovës”.

“Simboli i vetëm i Serbisë brenda shtetit tonë do të jetë ambasada e saj në Prishtinë”, tha ministri Svecla. “Republika e Kosovës është e përcaktuar qartë për vlerat demokratike dhe orientimin euro-atlantik të saj, ndërkaq si institucione mbesim të përkushtuar për rend e ligj dhe zbatim të kushtetushmërisë në çdo pjesë të vendit tonë. Këto billborde e imazhe të fashistëve e agresorëve si Vladimir Putin dhe kundërshtarëve të shtetit tonë, nuk do të gjejnë vend në shtetin tonë”, tha ministri Svecla.

Autoritetet e Kosovës heqin billborde me politikanët serbë si Aleksandar Vuҫiq, por dhe të presidentit rus, Vladimir PutinFotografi: Ministry of Internal Affairs of Kosovo

Në Kosovë që nga pas lufta veprojnë lirshëm strukturat paralele serbe të financuara nga qeveria e Serbisë dhe që ofrojnë shërbime për qytetarët serbë. Sipas të dhënave publike të veta, Qeveria e Serbisë, në territorin e Kosovës, që në kushtetutën e saj e njeh si territor të vetin, ka mbi 20 komuna paralele aktive. Komunat paralele serbe më të meshat janë ajo e Graҫanicës shtatë kilometra larg Prishtinës, dhe katër komunat paralele në veri të vendit, Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok. Në fund të vitit të shkuar policia e Kosovës hoqi qindra kamera të vendosura në veri të vendit që kontrolloheshin nga stukturat paralele serbe. /DW

VIDEO BONUS: Sveçla: Dje ne Zveçan e sot në Dragash jemi zotuar, rend dhe ligj anekënd e në çdo cep të Kosovës