Zyra e Kryeministrit ka reaguar pas videos e cila u publikua nga komedianët e famshëm rusë “Vovan & Lexus” me kryeministrin Albin Kurti, për të cilin thanë se ky i fundit ka rënë pre e mashtrimit të tyre. Komedianët në videon e publikuar kanë shkruar se i janë prezantuar Kurtit si presidenti letonez.
E, ZKM-ja ka thënë se ngjarja ka ndodhur më 11 shkurt, pas zgjedhjeve, kur Kurti po pranonte një numër mesazhesh urimi dhe për rezultatet e zgjedhjeve. Ka shtuar se për shkak të kohës, “nuk ishte gjithnjë e mundshme që të kryheshin verifikime të plota të secilës thirrje”.
“Ky incident fatkeq riforcon atë që e kemi ditur prej kohësh: Rusia është e obsesionuar me Kosovën dhe vazhdon ta shënjestrojë shtetin tonë. Gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, Sputniku dhe Russia Today publikuan mbi 60 lajme të rreme dhe artikuj dezinformues, duke ndërhyrë në procesin tonë demokratik, siç është dokumentuar nga Misioni Vëzhgues i Zgjedhjeve i BE-së”, thuhet në reagimin e ZKM-së.
Ndërkaq, për deklaratat për të cilat Kurti flet gjatë thirrjes me komedianët, ZKM-ja ka thënë se kjo e “riafirmon qëndrimin parimor dhe të qëndrueshëm të Kurtit në çështje kyçe, qoftë në biseda publike apo private”.







