Zyra e Kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti ka dhënë detaje nga takimi me shefen e zyrës së BE’së në Kosovë, Natalyia Apostolova.

Siç bëhet e ditur përmes një njoftimi për media, gjatë këtij takimi është diskutuar për menaxhimin e pandemisë dhe rimëkëmbjen ekonomike.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti priti sot në një takim Shefen e Zyrës së Bashkimit Evropian/Përfaqësuesen e Posaçme të BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova.

Gjatë këtij takimi, kryeministri Hoti tha se Qeveria e Republikës së Kosovës do të punojë ngushtë BE-në për ta përshpejtuar procesin e integrimit të vendit tonë në familjen e vendeve demokratike evropiane.

Kryeministri Hoti foli edhe për prioritetet aktuale të Qeverisë së Kosovës, siç janë menaxhimi i pandemisë COVID-19 dhe rimëkëmbja ekonomike e vendit.”, thuhet në njoftimin e zyrës së Kryeministrit.

Tutje u bë e ditur se BE’ja ka ofruar ndihmë dhe përkrahje për menaxhimin e pandemisë si dhe rimëkëmbjen ekonomike.

“Më këtë rast, ai tha se Qeveria e Kosovës njëkohësisht do të punojë me tërë kapacitetin e saj për forcimin e rendit dhe ligjit, për thellimin e demokracisë, luftimin e korrupsionit, zbutjen e papunësisë dhe zhvillimin e tregut të lirë.

Ndërsa, Ambasadorja Apostolova, pasi e përgëzoi Kryeministrin Hoti për detyrën e re, theksoi se Bashkimi Evropian do të vazhdojë t’i përkrahë institucionet e Kosovës për menaxhimin e pandemisë COVID-19, si dhe do t’i sigurojë Qeverisë së Kosovës mbështetje financiare për rimëkëmbjen ekonomike. Gjithashtu, ajo vuri theksin në funksionimin e shtetit ligjor dhe demokratik, si kusht i rëndësishëm në procesin e afrimit të Kosovës drejt BE-së.”, thuhet në fund të njoftimit.