Shteti i Zvicrës dhe ai i Francës kanë dënuar dhunën e protestuesve në veri të vendit, gjersa kanë kërkuar nga palët që t’i ulin tensionet.  

Në reagimin e bërë nga Ministria e Punëve të Jashtme të Zvicrës thuhet se dënojnë sulmet e dhunshme në Zveçan, njëherësh bëjnë thirrje për kthimin e qetësisë në komunat veriore të Kosovës.

“Zvicra dënon fuqishëm sulmet e dhunshme në Zveçan kundër NATO, KFOR. Trupat janë atje për të ruajtur paqen dhe një mjedis të sigurt dhe të qëndrueshëm. Bëjmë thirrje për kthimin e qetësisë në veri të Kosovës. Çdo akt provokimi duhet të shmanget nga të gjithë”, vijon reagimi.

Edhe shteti francez ka dënuar fuqishëm sulmet e serbëve ndaj ushtarëve të KFOR-it në veri të Kosovës.

Në reagimin e bërë nga Ministria e Punëve të Jashtme të Francës thuhet se, palët duhet të marrin menjëherë masat e nevojshme për uljen e tensioneve.

“Franca shpreh solidaritetin e saj të plotë me ushtarët e misionit të KFOR-it, disa pjesëtarë të të cilit u plagosën gjatë përleshjeve në veri të Kosovës kur ata ndërhynë, në ushtrimin e misionit të tyre, ndërmjet demonstruesve serbë dhe forcave të policisë së Kosovës. Franca dënon këtë dhunë në termat më të ashpër dhe u bën thirrje palëve, veçanërisht qeverisë së Kosovës, që të ndërmarrin menjëherë masat e nevojshme për uljen e tensioneve”, thotë reagimi.

#Kosovo | La France condamne les violences intervenues au Nord Kosovo avec la plus grande fermeté et appelle les parties, en particulier le gouvernement du Kosovo, à prendre immédiatement les mesures qui s’imposent pour réduire les tensions

Déclaration ➡️ https://t.co/Uc83A53wuq…

— France Diplomatie🇫🇷🇪🇺 (@francediplo) May 29, 2023