Zv.ministri VV’së thotë se ia kanë thyer derën e zyrës ku i mban takimet me stafin

Zëvendësministri i Mjedisit, Planifikimt Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi, thotë se e ka gjetur të thyer derën e takimeve protokolare të kabinetit të tij.

Njoftimin e ka bërë në profilin e tij në Facebook, teksa shton se rastin e ka lajmëruar edhe në polici.

“Dyert tona do të jenë të hapura prandaj nuk keni nevojë t’i thyeni”, ka shkruar ai ndër të tjera.

Postimi i tij i plotë:

Dje me të arritur në punë rreth orës 08:00, bashkë me stafin tim kemi vërejtur se dera e zyrës së takimeve protokolare të Kabinetit ku unë jam Zv. Ministër ka qenë e hapur me forcë (e thyer). Menjëherë është njoftuar sigurimi i objektit i cili ka ardhur në vendin e ngjarjes dhe po i njejti ka njoftuar organet e rendit dhe të sigurisë, Policinë e Kosovës. Pas më pak se 15 minuta kanë arritur njësitet e policisë të Stacionit Policor Qendra, dhe bashkë me hetuesit kanë bërë egzaminimet e nevojshme dhe se tani çështja është në duar të organeve të rendit.

Ne do të punojmë shumë dhe drejtë dhe me transparencë. Dyert tona do të jenë të hapura prandaj nuk keni nevojë t’i thyeni.