Zv/kryeministrja Balaj-Halimi shkarkon këshilltaren, babai i së cilës dyshohet për vjedhjen e 2 milionë eurove

Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Albulena Balaj-Halimi ka marrë vendim që Hajrie Gashi, këshilltare e saj të lirohet nga pozita pasi që babai i saj u përmend në skandalin e vjedhjes së 2 milionë eurove nga Thesari i Shtetit.

“Pas raportimeve në media se prindi i këshilltares sime Hajrie Gashi është i përfshirë në vjedhjen e mbi 2 milion eurove, kam marrë vendim që znj Hajrie Gashi, me efekt të menjëhershëm, ta liroj nga detyra e këshilltares. Znj Hajrie që nga fillimi ka qenë ndër këshilltaret e përkushtuara jashtë mase dhe me sukses ka kryer të gjitha detyrat e ngarkuara nga unë! Edhe pse jam e vetëdijshme që askush nuk duhet të mbahet përgjegjës për veprimet e familjarëve të tij, në këtë rast të saj, për shkak që kemi të bëjmë me një krim shumë të rëndë, lirimin e saj nga detyra e shoh si të domosdoshëm. Këtë vendim e kam marrë për të hequr çdo dyshim para qytetarëve se funksioni i lartë i këshilltares do të mund të përdorej për pengim të drejtësisë!”, ka shkruar Balaj-Halimi. /Ballkani.info/