Fjalimi i parë i presidentit të ri të SHBA-së, Joe Biden, e ka frymëzuar zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Tahirin.

Ai ka ndarë disa nga porositë e Biden teksa më pas bën thirrje për bashkëpunim pavarësisht dallimeve politike.

“Na duhet të unifikohemi të bashkëpunojmë pavarësisht dallimeve politike, na duhen shembuj të mirë, na duhet besimi në vetën, në njëri-tjetrin, në të ardhmën”, shkroi Tahiri në Facebook.

Postimi i plotë:

Miq,

Fjalimet e Presidentëve të SHBA-ve frymëzojnë secilin për një botë më të mirë. Gjithmonë jam frymëzuar prej tyre. Nga fjalimi gjithpërfshirës i Presidentit të sapozgjedhur të SHBA-ve, Joe Biden, do t’i ndaja disa porosi me ju.

Biden tha:

“Do t’punoj fort për ata që nuk më votuan, aq sa do t’punoj edhe për ata që më votuan”;

…(në kontekst të bashkëpunimit), “Është vendim. Zgjedhje të cilën e bëjmë. Dhe nëse ne mund të vendosim të mos bashkëpunojmë, atëherë ne mund të vendosim edhe të bashkëpunojmë.”;

“Ne nuk do të udhëheqim vetëm nga shembulli i fuqisë, por edhe nga fuqia e shembullit”.

Dhe siç dinë vetëm njerëzit që për ‘mësues’ i kanë përjetimet dhe kujtimet e pasura jetësore, Biden riktheu një kujtim të fëmijërisë. Kur si fëmijë, duke përshëndetur gjyshin në të dalë të shtëpisë së tij, ai e porosiste, “Biden, mbaje besimin.” Dhe në ato fjalë, Biden kujton zërin e gjyshës, “Jo, Joe, përhape atë.”

Më shumë se kurrë, Kosova, secili prej nesh, duhet të nxjerrim mësime nga ky lidership, nga këto porosi.

Na duhet të unifikohemi të bashkëpunojmë pavarësisht dallimeve politike, na duhen shembuj të mirë, na duhet besimi në vetën, në njëri-tjetrin, në të ardhmën.

Dhe para së gjithash, ne duhet t’i përhapim këto!