Zulfaj thotë se Prokuroria s’duhet të presë vetëm denoncime për të nisur hetimet për korrupsion

Jeton Zulfaj nga Lëvizja Vetëvendosje, ka thënë se Prokuroria nuk e ka gatishmërinë për të ngritur hetime për rastet e korrupsionit.

Ai thotë se, përmes raporteve të ndryshme është parë se, për të ngritur hetime Prokuroria ka pritur që dikush të bëjë kallëzim penal.

Një praktikë e tillë sipas Zulfajt është e gabuar, sepse është më e vështirë të luftohet korrupsioni.

Ai në emisionin “Express Intervista” të KTV-së tha se në raportet e fundit të prokurimit vërehet rritja e shpenzimeve në kategoritë e luksit tek institucionet e vendit. Ndërkaq shtoi se janë nënshkruar dy mijë kontrata më shumë se sa në vitin 2017.

“Janë rrit edhe kontratat edhe niveli i shpenzimeve. ¼ e buxhetit ka shkuar përmes prokurimit. Ministria e Infrastrukturës e ka rrit nivelin e prokurimit më shumë se sa që duhet. Me të drejtë e quajnë Ministria e Asfaltit sepse nuk ka pas investime tjera përveç asfaltit”,ka thënë ai.

Ai thotë se, që pas shpalljes së pavarësisë politikanët janë bërë milioner përmes asfaltit.

“Prej që është shpallur pavarësia e kemi parë që përmes asfaltit mundesh u bë milioner. Kanë bërë kompani në emër të dajave e të afërme e pastaj kanë marrë vetë tenderë. Ka pasur kompani që nuk e ka pasur as edhe një mjet, por ka fitu tender”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, buxheti duhet të përqendrohet në sektorët e prodhimit duke shtuar se Qeveria aktuale ka shpërndarë para tek ata klientë që i vjedhin bujqit.

“Çka ka kuptim taksa ndaj Serbisë nëse ti vjedh prej bujqve”, ka shtuar ai.

Ai thotë se institucionet duhet të hapin kontratat dhe pronarët e tenderëve në mënyrë që të shmangen rastet e korrupsionit.

“Ka shumë kompani që marrin tenderë mirëpo nuk dihet se kush është pronarë. Bechtel-enka ka marrë 1 miliard euro në Kosovë mirëpo ende nuk dihet se kush është pronar i Bechtel-it. Ministria e Infrastrukturës ka nënshkruar kontratë 42 milionë euro për zgjatjen e pistës së Aeroportit pa bërë konkurs publik, ky është nepotizëm. Raste të tilla kemi plotë”, ka thënë ai.

Ndërkaq lidhur me kalimin e tij nga Shoqëria Civile në Lëvizjen Vetëvendosje ka thënë se përmes kyçjes në politikë do të mund të kontribuojë më shumë në adresimin e rasteve të korrupsionit.

“Puna që kam bërë unë ka qenë me e ngrit zërin për me senzibilizu opinionin. Unë mendoj që përmes subjektit politik ndryshimet munden me qenë më reale”, ka përfunduar ai.