ZRRE pesimiste se mund ta fitojë rastin në Kushtetuese, qytetarëve mund t’iu kthehen paratë për pagesën e rrymës në veri

Gjykata Kushtetuese është institucioni i fundit ligjor, ku Zyra e Rregullatorit për Energji mund të ankohet ndaj aktgjykimit të Gjykatës Supreme për kthimin e mjeteve për qytetarët që kanë paguar për energjinë elektrike për komunat veriore. Njohës të sistemit të drejtësisë thonë se përmes padive qytetarët mund të kërkojnë kompensim nga ZRRE. Ndërsa, njohës të ekonomisë thonë se një vendim i tillë është dashur të merrej shumë më herët.

Miliona euro që iu faturuan për rrymën e shpenzuar në veri të vendit, do të mund t’u kompensohen qytetarëve, duke paditur Zyrën e Rregullatorit të Energjisë, e cila jashtëligjshëm ua kishte faturuar energjinë, raporton RTK.

Florim Shefqeti, avokat thotë se ZRRE-ja ka kohë katër muaj që t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për të kundërshtuar aktgjykimin e Supremes. Por, ai nuk pret që kjo kushtetuesja të vendosë ndryshe nga gjykatat e tjera.

Nga Zyra e Rregullatorit për Energji thanë se janë duke e shqyrtuar aktgjykimin e Gjykatës Supreme.

“Zyra e Rregullatorit për Energji ka pranuar aktgjykimin nga Gjykata Supreme më 3 prill 2023. Zyra është në proces të vlerësimit të këtij aktgjykimi dhe në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi do t`i ndërmarrë veprimet e nevojshme”, kanë theksuar nga ZRRE.

Njohës të çështjeve energjetike thonë se faturimi siç ka vepruar ZRRE- nuk është dashur të ndodhte.

“Qytetarët janë dëmtuar nga viti 2012 deri në vitin 2017 si rezultat i një vendimi të ZRRE-së, i cili i ka detyruar të paguajnë rreth 49 milionë euro”, ka theksuar Lulzim Beqiri, njohës i ekonomisë. Ndërkaq, Hamdi Malushaj, ka thënë se mospagesa e rrymës në veri do të thotë se ata nuk dëshirojnë rrymë. Në të kundërtën, sipas tij kur dëshiron të kesh rrymë duhet edhe ta paguash, e jo që për shpenzimet e tuaja të detyrohet të paguajë dikush tjetër.

Sipas institutit GAP, nga viti 1999 e deri më 2017 qytetarëve u kanë ardhur faturat për rreth 3.5% më shtrenjtë, që i bie deri në 11 milionë euro në vit. Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, gjatë raportimit të fundit në Komisionin parlamentar për Punë të Jashtme pati thënë se energjia e shpenzuar në veri arrin vlerën e 320 milionë eurove.