ZRRE gjatë këtij muaji merr vendim nëse do të shtrenjtohen ose jo faturat e rrymës

Zyra e Rregullatorit të Energjisë(ZRrE) është duke bërë shqyrtimin e jashtëzakonshëm të tarifave të energjisë elektrike për vitin 2023, mirëpo nuk bën të ditur nëse do të ketë shtrenjtim të tarifave, ulje apo çmimi i energjisë elektrike do të jetë i njëjtë edhe gjatë këtij viti.

Kryesuesi i Bordit të ZRrE-së, Ymer Fejzullahu, në Komisionin parlamentar për Ekonomi të martën, tha se pas shqyrtimit të gjitha komenteve brenda këtij muaji do të dalin me vendimin përfundimtar për tarifat e reja të energjisë elektrike. Sipas Fejzullahut, shqyrtimi i jashtëzakonshëm i tarifave është i domosdoshëm, pasi janë plotësuar gjitha kriteret ligjore, edhe pas kërkesës KEDS dhe KESCO, raporton KP.

Në anën tjetër, të gjithë anëtarët e komisionit, përfshirë edhe deputetët e pushtetit kanë adresuar një mori kritikash ndaj Bordit të ZRrE-së për mungesën llogaridhënies, sidomos siç thanë edhe mungesën e mbikëqyrjes së gjendjes financiare në sektorin energjetik.

“Kur është dorëzuar ky plan i performancës në nëntor të vitit të kaluar, siç e dini ZRrE-ja në atë kohë nuk e ka hapur shqyrtimin e jashtëzakonshëm. Shqyrtimi i jashtëzakonshëm si një prej aktiviteteve që nuk mund të parashihet në kuadër të aktiviteteve dhe të planit të perfomrancës, është edhe shqyrtimi i jashtëzakonshëm i tarifave të energjisë elektrike, i cili edhe në vitin e kaluar ka ndodhur një herë. Por, edhe këtë vit domosdoshmërisht është duke ndodhur për shkak se janë plotësuar kriteret e parapara me ligj dhe ZRrE-ja në dhjetor të vitit të kaluar ka hapur edhe shqyrtimin e jashtëzakonshme të tarifave për vitin 2023. Duke mos e anashkaluar edhe shqyrtimin pesë vjeçar që është obligim ligjor dhe tani jemi në shqyrtimin e tretë rregullativ për periudhën pesë vjeçare. Në këtë kuadër paralelisht jemi duke i zhvilluar dy procese. Edhe shqyrtimin e jashtëzakonshëm, por edhe shqyrtimin e të hyrave të lejuara maksimale”, tha ai.

Mirëpo, anëtari i komisionit, deputeti i LVV-së, Armend Muja, tha se shqyrtimi i tarifave të energjisë nga ZRrE-ja, jo domosdoshmërisht mund të përkthehet në shtrenjtim të energjisë elektrike. Kjo, pasi sipas tij, do të ketë subvencione, siç është rasti i 75 milionë eurove nga Bashkimi Evropian.

“Mesazhi që doli është se paralajmërohet shtrenjtimi i energjisë elektrike. Nga perspektiva juaj, në këtë fazë çka ju po shqyrtoni është rritja e kostos operative, e cila jo domosdoshmërisht mund të përkthehet në shtrenjtim të energjisë në rast se ka subvencione. Të kemi të qartë këtë, juve ju takon të vlerësoni koston e operimit, apo ta korrigjoni nëse ka pasur devijime nga ajo çka keni planifikuar vitin e kaluar. Por në rast se ka subvencione siç është rasti i 75 milionë eurove nga BE-ja, ne jo domosdoshmërisht mund të nxjerrim një konkluzion të tillë në këtë fazë”, theksoi Muja.

I shqetësuar me hapjen e shqyrtimit të jashtëzakonshëm të tarifave u shpreh edhe deputeti i AAK-së, Pal Lekaj.

“Unë mendova se ju do të keni shqyrtim të jashtëzakonshëm për uljen e tarifave, por jo për ngritjen e tarifave. ‘Vaj halli’ për ne nëse edhe në këtë drejtim i ngarkoni qytetarët”, tha Lekaj.

Në anën tjetër, anëtarja e komisionit, deputetja e LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, adresoi një sërë kritikash ndaj Bordit të ZRrE-së.

Ajo tha se ZRrE-ja nuk ka bërë asnjë reflektim në raport me masat e ndërmarra për gjendjen e jashtëzakonshme në sektorin energjetik.

Kusari-Lila, aludoi se ka një shthurje mes KEDS dhe KESCO dhe qarkullimeve financiare të tyre, pasi, ajo vuri në pah se ZRrE-ja nuk po mbikëqyrë rrjedhën e pagesave mes operatorëve.

“Askund në këtë raportim, përfshirë edhe objektivat që gabimisht i keni bërë se në ‘vëmendje të ZRrE-së për vitin 2022 do të jenë’ besoj se keni menduar për vitin 2023. Po shpresoj se nuk e keni bërë copy-paste, sidoqoftë po besoj se nuk keni hy me objektiva të njëjta. Kemi hyrë në vitin e dytë të shpalljes së masave emergjente në sektorin e energjisë. Është dashur me pas një reflektim në raport me masat që ndërmarrën. Një prej problemeve kryesore sot në sektor është gjendja financiare e sektorit e sektorit të energjisë, element ky që nuk nxënë vend këtu tek ju. Përkundër që në mandatin e juaj është mbikëqyrja e KEDS-it, KESCO, KOSTT dhe qarkullimeve financiare mes këtyre operatorëve të sistemit. Aktualisht a mundeni me na tregu cila është gjendja financiare, si është mbyll viti 2022 dhe cili është prospekti për vitin 2023, jo 2022 siç e keni shkruar këtu gabimisht”, tha ajo.

Por, kryesuesi i bordit të ZRrE-së, Ymer Fejzullahu tha se kanë ndërmarrë gjitha veprimet që obligohen me ligj për t’i ndëshkuar operatorët që nuk kryejnë obligimet e tyre financiare. Ai u përfshi edhe në debat me deputeten Kusari-Lila.

“Krejt letrat janë, jo vetëm këtë vit. ‘Kusari Lila: Specifik po të pyes vitin 2022, mos më fol me terma të përgjithshme. Sa janë borxhet aktuale në këtë sektor, sa i ka borxh KESCO. Fejzullahu: S’i kam marrë me veti, pas një ore t’i dërgoj të dhënat konkretisht, sa është me vlerë t’i tregoj tani. Po iu tregoj për letra, në dhjetor të vitit 2021, kemi kërkuar dhe për atë arsye kanë marrë ndëshkim ndërmarrjet. Ne i kemi kërkuar që gjithë të licencuarit t’i kryejnë obligimet konfrom kontratave. Kemi kërkuar KOSTT, me letër dhe shkrim se duhet t’i dërgojë tek të gjithë mekanizmat që janë në fuqi. Pasi kontrata është e paraparë që në rast se palët nuk i kryejnë obligimet kanë të drejtë me i dërgua edhe tek përmbaruesit. Këto nuk i kanë bërë dhe do t’i marrin edhe ndëshkimet”, theksoi ai.

Në debat u përfshi edhe deputeti tjetër i LVV-së, Armend Muja, i cili akuzoi ZRrE-në për shmangie të transparencës dhe llogaridhënies.

“Ju i keni ca të dhëna, por po iu shmangni transparencës dhe llogaridhënies. Unë besoj se që nga viti 2019 unë i këqyri të dhënat e juaja dhe nuk i keni përditësuar fare. Tash ose ka mungesë kapaciteteve ose konsiderate, por të dhënat që i keni publiku nuk i keni përditësuar që nga viti 2019. Këtë duhet të vendosni si objektiv që të arrini”, theksoi Muja.

Në fund, Komisioni për Ekonomi nuk miratoi planin e performancës për vitin 2023, të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë