Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, është deklaruar rreth marrëdhënieve me Serbinë.
Kryeministri maqedonas, Zoran Zaev, në intervistë për gazetën serbe ‘Politika’ thotë se marrëdhëniet me Serbinë janë tradicionalisht të mira, dhe se shkojnë duke u përmirësuar.
“Me kryeministren Ana Bërnabiq së shpejti do të fillojmë edhe një bashkëpunim në shërbimet digjitale dhe web-faqen e Qeverisë”, ka deklaruar Zaev, përcjell Telegrafi Maqedoni
Sipas tij, Serbia dhe Maqedonia e Veriut kanë të njëjtat qëllime, ndër të cilat, siç tha ai, më të rëndësishmet janë arritja dhe rrënjosja e vlerave evropiane, të cilat, sipas tij, do të intensifikohen në periudhën e ardhshme.
Duke komentuar dyshimet se liderët perëndimor nuk i kanë përmbushur premtimet e tyre kur është në pyetje agjenda evropiane e vendit, Zaev thotë se Raporti i KE-së për Maqedoninë e Veriut këtë vit është shembull dhe se posaçërisht është theksuar se Marrëveshja e Prespës paraqet shembull për zgjidhjen e kontesteve në rajon, por edhe më gjerë.
Zaev thotë se obligim i të gjithë shteteve që janë pjesë e BE-së dhe atyre që kanë aspirata për hyrje në BE është përpjekja që bashkërisht me forca të përbashkëta të përkrahin procesin e integrimit në gjithë rajonin dhe se kjo do të sjell paqe, stabilitet dhe perspektivë më të mirë për të gjithë.







