Drejtori i Urbanizmit, Planifikimit dhe Mjedisit në Komunën e Suharekës, Visar Kuçi, ka promovuar projektin e Zonës Ekonomik Duhël, duke e cilësuar atë si një hap të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik dhe urban të komunës.

Përmes një postimi publik, Kuçi theksoi se Zona Ekonomike Duhël përfaqëson më shumë sesa një plan infrastrukturor, duke e përshkruar atë si një vizion afatgjatë për zhvillimin e Suharekës.

“Zona Ekonomike Duhël – më shumë se një plan, një vizion për zhvillimin e Suharekës”, ka shkruar ai, duke shoqëruar mesazhin me referenca për investimet dhe perspektivën zhvillimore të komunës.

Projekti i Zonës Ekonomike Duhël konsiderohet një nga iniciativat me potencial për të tërhequr investime, për të krijuar vende të reja pune dhe për të forcuar bazën ekonomike të Suharekës. Autoritetet komunale, nën udhëheqjen e kryetarit Bali Muharremaj, kanë theksuar vazhdimisht rëndësinë e zhvillimit të zonave ekonomike si mekanizëm për nxitjen e biznesit dhe përmirësimin e klimës investuese në komunë.

Sipas postimit të drejtorit Kuçi, projekti synon të krijojë kushte më të mira për aktivitetet ekonomike dhe të kontribuojë në zhvillimin e qëndrueshëm të Suharekës në vitet e ardhshme.