Mitrovica

“Zona e nxehtë” e Kosovës, kështu zhvillohej jeta në Mitrovicë gjatë viteve para çlirimit të vendit

I ftuar në emisionin “FAKTE me Adnan MEROVCIN” në Klan Kosova, ka qenë veprimtari i shquar Sadri Ferati, i cili foli për Komunën e Mitrovicës gjatë dekadës së çlirimit 1989-99, për të cilën tha se organizimi i madh i qytetarëve të kësaj komune, nuk mungoi asnjëherë në fushat të ndryshme të cilat bënin të mundur jetesën dhe qëndresën e shqiptarëve, pavarësisht vështirësive që i kishin në terren.

Si një ndër pikat kyçe të historisë së asaj periudhe, Ferati i vlerëson grevat e minatorëve, të cilat, sipas tij, krijuan një energji më të madhe reaguese kundër pushtuesit.

“Atë kohë, Mitrovica sikur doli specifike në situatat që kalonte Kosova. Ishin pikërisht ngjarjet që i paraprinë. Fillimisht marshi në mbrojtje të asaj autonomie që kishte Kosova, pastaj grevat e minatorëve. Sjellja e pushtetit në raport me ato greva krijoi një energji reaguese më të madhe te qytetarët e Mitrovicës, e sidomos te intelektualët”, u shpreh ai.

Ndër tjera për këtë periudhë, Ferati foli edhe për “Fondin e 3 përqindshit”, për të cilin tha se në pjesën veriore të Mitrovicës ka qenë shumë vështirë dhe rrezik të zhvillohet, pasi çdo i dyti banor ka qenë serb.

Siç shprehet ai, rol të rëndësishëm në zhvillimin e jetës në Mitrovicë gjatë asaj periudhe pati edhe mbledhja dhe plasimi i informatave.

“Edhe informimi ka qenë një prej armëve të forta që ne ta demaskojmë veprimin e Serbisë dhe ta argumentojmë të gjithë atë të keqe që e ka udhëruar Serbia në raport me popullin shqiptar në tërësi dhe sidomos me organizimet tona”, tha Ferati.

Në Mitrovicë, po ashtu u zhvillua edhe Këshilli për vetmbrojtje, teksa më vonë u organizua edhe Ministria e Mbrojtjes.

“Edhe Komuna e Mitrovicës ishte pjesë e këtij organizimi, nën udhëheqjen e prof.Latifit, teksa në krye të këtij organizimi, i emëruar nominativisht ka qenë Bajram Rexhepi, Ismajl Smakiqi, Muhamet Hajrizi, Behxhet Haliti, dhe unë. I kemi pas funksionet e ndara brenda këtij funksioni për mbrojtje-siguri. Ky grup që ka qenë në ilegalitet, ndërsa pas rënies në burg të ilegalitetëve, nuk ka vepru më tutje”, tregoi Ferati.

Ferati po ashtu shpjegoi në detaje themelimin e Lëvizjes në Mitrovicë si dhe foli për njërin nga margaritarët e Kosovës, që është organizimi i pajtimit të gjaqeve, rrëfim ky ekskluziv, të cilin mund ta ndiqni në vijim: