Vjosa Osmani siç duket e ka harruar shpejt flamurin e ish-presidentit historik, Ibrahim Rugovës, të cilin me të ardhur në presidencë e riktheu në këtë institucion. Në konferencën e sotme të saj me Albin Kurtin, një i tillë nuk u pa.

Albin Kurti si kryeministër e Vjosa Osmani si presidente, kjo është marrëveshja që nënshkruan sot dy politikanët që dikur ishin kundërshtarë.

Përmes një konference për media, të dy sot më shumë folën për postet që do t’i marrin, se sa për programin e tyre të përbashkët.

Sidoqoftë, një gjë tjetër që ra sot në sy ishte edhe mungesa e flamurit që Vjosa Osmani u duk që shumë e dëshironte.

Një të tillë ajo e vendosi në presidencë posa u bë presidente në detyrë.

Ende nuk dihet se pse nuk ka pasur një simbol të ish-presidentit Rugova në takimin e sotëm, por vlen të theksohet se Kurti për një kohë të gjatë nuk kishte vizituar as varrin e tij, përpos në kohën kur i duheshin votat e LDK’së për të formuar Qeverinë.