Zogaj: Sipas Osmanit, Qeveria po bashkëpunon me një strukturë kriminale, pra Listën Serbe

Presidentja Vjosa Osmani në konferencën për media që pati me presidentin slloven, Borut Pahor foli edhe për Listën Serbe, pas reagimit të tyre të fundit se ata Osmanin “nuk e njohin për presidente”.

Osmani tha se Lista Serbe është shndërruar në përfaqësuese të interesave të organizatave kriminale.

Ndaj kësaj deklarate ka reaguar njohësi i çështjeve politike, Petrit Zogaj, duke thënë që Lista Serbe është në partneritet me Qeverinë Kurti, ndërsa Partia Guxo të cilën e ka themeluar Osmani është në partneritet qeverisës me Qeverinë Kurti.

Sipas tij, Qeveria Kurti-Gërvalla po bashkëpunon me një strukturë kriminale, pra Listën Serbe.

“Presidentja Osmani po thotë qe Lista Serbe përfaqëson krimin e organizuar e jo serbet e Kosovës. Lista Serbe është partnere qeverisëse ne Qeverinë Kurti, e cila është po ashtu ne partneritet qeverises edhe me Listen Guxo, e te cilen Osmani e ka themelu. Pra, sipas Osmanit Qeveria Kurti-Gervalla bashkëpunon me një strukture kriminale, Listën Serbe “, tha ai.

Tutje ai thotë se kjo deklaratë e Osmanit ka vetëm dy arsyetime, ose dëshirojnë ta rrëzojnë vetë qeverinë, ose janë të paaftë të mendojnë përtej deklaratave emocionale.

“Tash, ose dojne me e rrezu qeverinë keta vete, ose janë kaq te paafte qe me mendu dy hapa përtej deklaratave emocionale, pasojat e te cilave as qe munden me i imagjinu”.