Nënkryetari i Prishtinës, Alban Zogaj, ka bërë të ditur se gjatë mandatit të parë të qeverisjes së Lidhjes Demokratike janë planifikuar 5 miliardë euro investime kapitale, nga të cilat 1.5 miliardë janë të dedikuara për rajonin e Prishtinës dhe qytetet përreth saj.

Një nga projektet kryesore të parashikuara për kryeqytetin është ndërtimi i Unazës së Jashtme të Prishtinës.

Sipas Zogajt, aktualisht ky projekt është në pritje të miratimit nga Qeveria, e cila ka vonuar nënshkrimin e marrëveshjes së kredisë.

Megjithatë, ai ka theksuar se ndërtimi i Unazës së Jashtme mbetet një prioritet i programit qeverisës të LDK-së

“Prej 5 miliardë euro investime kapitale në mandatin tonë, 1.5 miliardë euro janë të orientuara drejt kryeqytetit dhe qyteteve rreth kryeqytetit. Një prej projekteve të mëdha të kryeqytetit është unaza e jashtme e Prishtinës. Nuk ka kryeqytetet në botë pa unazë të jashtme. Unaza e jashtme është një projekt i madh kapital me 350 milionë euro investime të zotuara për kredi nga BERZh-i, e që aktualisht nuk po nënshkruhen nga Qeveria aktuale më idenë e shtyrjes së projektit për një kohë tjetër. Ne në programin tonë e kemi dhe kryeministri jonë është duke e theksuar në vazhdimësi që në javët e para do ta nënshkruajmë kredinë për ta ndërtuar unazën e jashtme të kryeqytetit”, tha Zogaj në “Kallxo Pernime”.