Zjarrfikësit i gëzohen lajmit për ngritjen e pagave: Më në fund po trajtohemi me dinjitet

Gjatë seancës së Kuvendit për votimin e Buxhetit dhe Projektligjit për paga, është votuar edhe amandamenti për shtesat e rrezikshmërisë për zjarrfikësit.

Pas hyrjes në fuqi, zjarrfikësit do të fillojnë të marrin shtesa për rrezikshmërinë në detyrë në kuadër të pagave të tyre.

Kryetari i Sindikatës së Zjarrfikësve, Muharrem Beka, në një prononcim për Ballkani.info, ka thënë se i është gëzuar shumë lajmit, duke thënë se më në fund shteti i Kosovës, e ka marrë seriozisht çështjen e zjarrfikësve.

“Në emër të Sindikatës, përshëndesim punën e Komisionit për Administratë Publike dhe Komisionit për Siguri në Kuvend. Më në fund, institucionet e tona e shqyrtuan me seriozitet çështjen e zjarrfikësve. Pas ndryshimit të koeficientit dhe pagesën e shtesave për rrezikshmëri, më në fund zjarrfikësit po trajtohen dhe nivelizohen me shërbimet e tjera të sigurisë”, ka thënë Beka për Ballkani.info.

Në fund, Beka ka përshëndetur edhe njëherë angazhimin e kryeministrit Haradinaj dhe premtimin e tij për t’i kthyer dinjitetin zjarrfikësve.

Kujtojmë se çështja e zjarrfikësve kishte mbetur e pazgjedhur për disa muaj, pasi që ende nuk ishte përcaktuar statusi zjarrfikësve. /Ballkani.info