Policia e Kosoves

Zjarr në një autoservis në Duhël të Suharekës, digjen disa vetura

Një autoservis është përfshirë nga zjarri këtë të shtunë në fshatin Duhël të Suharekës, ku si pasojë janë djegur disa vetura.

Ndërkaq, ndihmë mjekësore për shkak të tymit kanë kërkuar dy qytetarë dhe një zjarrfikës.

Këtë e ka bërë të ditur zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi.

“Rreth orës 14:45, policia është njoftuar se një zjarr i madh është ndezur në afërsi të fshatit Duhël të Suharekës, në këtë rast zjarri ka përfshirë një autoservis, ku janë djegur disa vetura dhe demi material është i madh”, ka thënë Bytyqi.

Ai tutje ka njoftuar se Policia dhe zjarrfikësit janë munduar ta shuajnë zjarrin pasi ka rrezikuar të përfshijë edhe një pikë karburanti që ndodhet afër.

Zjarrfikësve të Suharekës iu kanë dalë në ndihmë edhe ata nga Mamusha e Prizreni. Deri më tani nuk ka të lënduar vetëm dëme të medha materiale. Dy qytetarë dhe një zjarrfikës kanë kërkuar ndihmën e mjekut për shkak të tymit”, është shprehur Bytyqi.

E lidhur me rastin ka reaguar edhe kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, i cili në llogarinë e tij në Facebook ka publikuar pamje nga vendi i ngjarjes.

Ai ka thënë se kanë pak zjarrfikës e shumë nevoja, ndaj iu ka bërë thirrje institucioneve përkatëse që ta kenë parasysh këtë.

“Kemi pak zjarrfikës e shumë nevoja. Të gjitha institucioneve përkatëse lutje në emër të qytetarëve, ta keni parasysh”, ka shkruar Muharremaj.

Ai ka shtuar se ky rast në Duhël ishte me shumë rrezik, por “shpëtuam duke pasur vetëm dëme materiale”.