Zjarr

Zjarr masiv në kodrat e Peshtanit të Shqipërisë, zjarrfikësit po hasin në vështirësi

Një zjarr i përmasave të mëdha, ka përfshirë mesditën e sotme, kodrat e Peshtanit në Fier të Shqipërisë.

Flaket janë përhapur me shpejtësi, të favorizuara nga era e fortë, duke përfshirë një sipërfaqe të konsiderueshme me bimësi të dendur në pyllin me pisha dhe ullishte.

Sipas shefit të shërbimit zjarrfikës në Bashkinë e Fierit, Zija Hyka, në vendngjarje kanë shkuar menjëherë tre automjete zjarrfikëse të cilat po punojnë me efektiv të plotë për të bëre të mundur neutralizimin e flakëve.

Sipas Hykës , zjarri i sotëm mendohet të jetë riaktivizuar pasi ditën e djeshme po në të njëjtin vend ka rënë një vatër zjarri e cila është fikur pas ndërhyrjes së menjëhershme të shërbimeve zjarrfikëse.  Zjarri i sotëm ndodhet pranë kodrave  të  Likovunit, aty ku janë vendosur antenat televizive dhe të telefonisë celulare. Ndërhyrja me mjete është e vështirë për shkak të terrenit të thyer kodrinor , ndërsa era e fortë e vështirëson edhe më shumë shuarjen e flakëve.

Aksionit për fikjen e zjarrit i janë bashkuar edhe banorët e zonës të cilët po u vijnë në ndihmë forcave zjarrfikëse , duke përdorur mjete rrethanore./tch/