Zizek, vajtimi për rrëzimin e Kurtit dhe koronavirusi si momenti ideal për ri-ngritjen e komunizmit

Filozofi slloven, Slavoj Zizek, i njohur për idetë e tij ultra të majta i cili situatën me koronavirusin e pëlqente dhe e shihte si ideale për instalim të komunizmit në botë, është dëshpëruar për rënien nga qeveria të kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti.

“Qeveria e Kosovës, e kryesuar nga Albin Kurti ishte një nga shenjat shumë të rralla të shpesës në rajonin e Ballkanit. Hartimi i politikave u mor në fund nga një gjeneratë e re, pa lidhje me pasionet etnike të angazhur në modernizimin e vendit dhe të inspiruar nga një iluminizëm emancipues. Si e tillë, qeveria Kurti ishte gjembë në këmbë për të gjitha forcat politike të afta të mbijetojnë vetëm në kënetën e pasioneve etnike dhe religjioze – ajo ishte e urryer nga obskurantistët e të gjitha llojeve, në Kosovë, Shqipëri dhe Serbi”, thotë Zizek në deklarimin e tij për rrëzimin e qeverisë në Kosovë.

Në anën tjetër, Zizek në një intervistë të tij prë “The Spectator USA”, flet për koronavirusin si një stuhi e madhe dhe perfekte që po e godet Evropën pas krizës së refugjatëve dhe këtë e sheh si shpresë për një ringritje të komunizmit.

Zizek duke pohuar se është pikërisht ky fakti pse e pëlqen koronavirusin, në tentim për ta relativizuar pikëpamjen e tij mbi komunizmin thotë se mendon llojin e mirë të komunizmit. “Kjo është ajo që dua të them kur them koronavirusi i jep një shansë të ri komunizmit”, tha ai për “The Spectator”.

“Sigurisht, nuk e kam fjalën për komunizmin e stilit të vjetër. Me komunizëm dua të them thjesht atë që po thotë OBSH-ja. Ne duhet të mobilizohemi, të koordinohemi. Kjo është situatë e rrezikshme. Ne duhet ta trajtojmë këtë si një luftë. Një lloj koordinimi evropian, mbase edhe mobilizim si ai i kohës së luftës. Mund të bëhet, madje edhe të rrisë produktivitetin.”, thotë Zizek në mendimin e tij mbi koronavirusin dhe komunizmin.

Zizek, sikur harron se në deklaratën e tij për koronavirusin po përgatiste botën për ardhjen e re të komunizmit, kur flet për rrëzimin e Kurtit hidhet në akuza drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës si fajtore për rrëzimin e qeverisë në Kosovë si tentim për të rivendosur rendin e ri botëror.

Sipas Zizek, një grusht shteti parlamentar u bë ndaj qeverisë së Albin Kurtit e cila sipas tij është shqetësuese në dy aspekte. E para ishte të përdorej periudha e pandemisë dhe e dyta që ajo u organizua nga jashtë, duke ndjekur rrugën që të çon në Shtëpinë e Bardhë.

Sipas filozofit slloven, ajo që ndodhi në Kosovë mund të jetë fotografia e asaj se si do të duket bota pasi të kalojë pandemia.

“Ne e pamë se si mund të përdoret politikisht epidemia e tmerrshme që po na shkatërron jetën – është shembull sesi ata që janë në pushtet do të shfrytëzojnë pa mëshirë pandeminë për të imponuar vizionin e tyre për rendin e ri botëror. Ishte detyra jonë e shenjtë të shpjegojmë këtë për të gjithë njerëzit e iluminuar në botë, se historia e Kosovës kërcënon të bëhet histori e të gjithë neve.”, përfundon Zizek në shkrimin e tij për Kurtin.