Në një analizë të Qendrës për Operacione Ndërkombëtare të Paqes (ZIF) në Berlin të Gjermanisë, që fokusohet zgjidhjen e konflikteve dhe ndërtimin e paqes, thuhet se zgjedhjet evropiane dhe amerikane mund të rrisin potencialin për konflikt, veçanërisht për shkak se dialogu i lehtësuar nga Bashkimi Evropian (BE) midis Kosovës dhe Serbisë ndodhet në ngërç.

Gjithashtu, rikthimi i Donald Trump në krye të Shteteve të Bashkuara (SHBA), gjithmonë nëse fiton zgjedhjet presidenciale në SHBA në nëntor të vitit 2024, kombinuar nga një fitore paraprake e së djathtës ekstreme evropiane në zgjedhjet për Parlamentin Evropian (PE) këtë javë, mund të ndryshojnë për të keq rrjedhën e zhvillimeve në kontekstin Kosovë-Serbi.

“Zgjedhjet në BE dhe SHBA po hedhin hijen e tyre gjeopolitike në Ballkanin Perëndimor. Kjo rrit potencialin për konflikt, veçanërisht për shkak se dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës ka hyrë në një ngërç”, paralajmëron qendra e themeluar nga Qeveria e Gjermanisë për të forcuar kapacitetet ndërkombëtare për parandalimin e krizave.

“Serbia – e mbështetur nga operacionet e ndikimit rus – po bëhet gjithnjë e më revanshiste, duke krijuar një ‘botë serbe’ dhe padyshim, duke llogaritur në fitoren e Trumpit. Kosova po përpiqet të forcojë shtetësinë e saj sa më shumë që të jetë e mundur para zgjedhjeve amerikane, por duke e bërë këtë po e tjetërson pakicën serbe dhe komunitetin ndërkombëtar”.

Aty përmendet fakti se qeveria gjermane javën e kaluar mori vendim për zgjatjen edhe për një vit të mandatit të forcave të armatosura në kuadër të misionit paqeruajtës të NATO-s (KFOR), në sfondin e tensioneve të fundit. Prandaj, duke marrë parasysh mjedisin e rëndë të sigurisë, sugjerohet që KFOR-i t’i marrë të gjitha masat për të penguar përshkallëzimin.