Zhvillohen biseda me aktorët e serialit për rikthimin e “Friends”

Gjashtë yjet kryesore dhe krijuesit e hit komedisë “Friends” janë në diskutime për t’u rikthyer në ekranet e vogla në HBO, raporton The Hollywood Reporter.

Thashethemet se aktorët kryesorë Jennifer Aniston (50), Courteney Cox (55), Lisa Kudrow (56), Matt LeBlanc (52), Matthew Perry (50) dhe David Schwimmer (53) po kthehen për ta bërë së bashku edhe një seri, speciale apo film, janë shfaqur për vite dhe zakonisht hidhen poshtë, shkruan KOHA Ditore. Tani ka burime që konfirmojnë se diskutimet janë duke u zhvilluar me aktorët kryesorë, së bashku me krijuesit e serialit David Crane dhe Marta Kauffman.

Ende nuk është arritur ndonjë dakordim, dhe marrëveshjet me aktorët dhe krijuesit ende nuk janë arritur. Diskutimet mbeten premtuese duke pasur parasysh që Aniston kohët e fundit tha që ajo po punonte në diçka me ish-kolegët e saj. Perry dhe Cox gjithashtu së fundmi e kanë ndarë një foto të përbashkët. Së fundi Cox e postoi një fotografi të përbashkët me miqtë e vjetër në profilin e saj, kështu që spekulimet për ribashkimin e shoqërisë dhe xhirimin e sërishëm po bëhen gjithnjë e më të zëshme.

Seriali “Friends” e pati premierën e tij në NBC më 22 shtator 1994, dhe me kalimin e kohës është bërë një nga seritë më të suksesshme dhe më të njohura në historinë e televizionit.

“Shoqëria” e popullarizuar e përbërë nga Phoebe, Ross, Joey, Monica, Chandler dhe Rachel i argëtoi shikuesit për 236 episode.

loading…