Zhvillime në Hagë: Dhomat e Specializuara ndryshojnë rregullat dhe procedurat e provave zgjedhin edhe nënkryetarin

Përmes një komunikate për media, Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale kanë njoftuar se gjykatësi Çarls Smith III është zgjedhur nënkryetar i ri.

Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë mbajtur Plenarjen e Pestë përmes videokonferencës për shkak të pandemisë.

“Me gjithë vështirësitë e krijuara, gjykatësit e Dhomave të Specializuara të Kosovës e përfunduan me sukses Plenaren e tyre Vjetore dhe dëshmuan se Kryetarja dhe gjykatësit vazhdojnë përmbushjen e mandatit të tyre pa vonesa. Gjatë Plenares gjykatësit zgjodhën njëzëri gjykatësin Çarls Smith III si nënkryetar të ri në pajtim me nenin 32(4) të Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Në pajtim me nenin 32(4) të Ligjit, nënkryetari ushtron detyrat e Kryetarit, në mungesë të Kryetarit ose në rast se Kryetari nuk mund të ushtrojë detyrat e tij”, thuhet në komunikatë.

Në mars të këtij viti Gjyqtari Keith Reynor kishte dhënë dorëheqje nga pozita e zëvendëskryetarit dhe e gjyqtarit të Dhomave të Specializuara të Gjykatës Speciale.

Poashtu, Gjykatësit e Dhomave të Specializuara kanë miratuar ndryshime të 30 rregullave të Rregullores së Procedurës dhe të Provave.

“Pas largimit të gjykatësve të Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese nga Plenarja, gjykatësit e tjerë vazhduan me kuvendimet dhe miratuan ndryshime të 30 rregullave të Rregullores së Procedurës dhe të Provave (Rregullorja). Ndryshimet qartësojnë disa dispozita dhe kanë si synim mundësimin e procedurave më efikase dhe më efektive. Në pajtim me nenin 19(5) të Ligjit, ndryshimet e miratuara të Rregullores do t’i referohen Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese për të garantuar përputhjen e tyre me Kapitullin II të Kushtetutës”, thuhet tutje në komunikatën e Dhomave të Specializuara.