Zhgënjehen kosovarët| Për shtatë muaj rreth 3 mijë qytetarë hoqën dorë nga shtetësia

Numër i madh i qytetarëve kanë hequr dorë nga shtetësia e Kosovës.

Vetëm brenda shtatë muajve janë gjithsej 2 mijë e 518 qytetarë që morën vendim për të hequr dorë nga shtetësia e Kosovës.

Kjo është bërë e ditur në një përgjigje të dhënë për lajmi.net nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Sipas MPB-së nga 1 janari 2022 deri më 31 korrik 2022, nga Shtetësia e Republikës së Kosovës u liruan 2,518 persona.

Përpos kësaj nga kjo ministri kanë theksuar se në vitin 2021 ishin gjithsej 4 mijë e 938 persona të cilët janë liruar nga shtetësia.

“Në vitin 2021 nga Shtetësia e Republikës së Kosovës, janë liruar 4,938 persona”, u tha nga MPB.

Por për dallim nga ky numër tejet i lartë i atyre që hoqën dorën nga shtetësia e Kosovës, janë vetëm 299 persona të cilët arritën të fitonin shtetësinë e Republikës së Kosovës brenda shtatë muajve të parë të këtij viti.

“Gjatë periudhës 01.01.2022 – 31.07.2022, shtetësinë e Republikës së Kosovës e kanë fituar 299 persona”, u tha në përgjigjen e MPB-së.

Numër jo shumë i lartë ishte edhe i atyre që arritën të bëhen me shtetësi të Kosovës në vitin 2021.

Vetëm 421 persona fituan shtetësinë e Republikës së Kosovës gjatë gjithë vitit të kaluar.

E sipas ministrisë së Punëve të Brendshme, arsyeja më e shpeshtë e heqjes dorë nga shtetësia e Kosovës është pasi që shumë shtete të Bashkimit Evropian, nuk lejojnë dy shtetësi, përfshirë këtu edhe disa shtete që nuk janë pjesë e BE-së.

“Arsyet pse personat heqin dorë nga shtetësia e Republikës së Kosovës, është pasi që shumë shtete të Bashkimit Evropian nuk lejojnë dy shtetësinë përfshirë këtu edhe disa shtete që nuk janë pjesë e Bashkimit Evropian”.

Gjithashtu u theksua se duke pas parasysh që një numër i madh i shtetasve tanë jetojnë tashmë me vite në këto shtete, “e një numër i madh edhe kanë lindur në këto shtete dhe si rezultat i saj kanë fituar të drejtën e fitimit të shtetësisë dhe janë të obliguar të lirohen nga shtetësia e mëparshme në rast se dëshirojnë ta fitojnë shtetësinë e atij vendi”.

“Pra, arsyeja kryesore është ndalimi dy shtetësisë në shumë vende”, u theksua nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Ndryshe ndër vite ka patur shumë vërejte nga qytetarët sa i përket mundësisë së aplikimit për shtetësi të Kosovës.

Shumë prej tyre janë përballur me kërkesa nga më të ndryshmet, e që kanë çuar deri tek “lodhja e qytetarëve me këtë procedurë”.

Të njëjtit në shumë raste kanë vazhduar për shumë vite të aplikojnë për leje-qëndrim, derisa kanë arritur që më pas të mund të kenë të drejtën e aplikimit për shtetësi të Kosovës.

Kësisoj procedurat tejet të gjata dhe të mundimshme kanë bërë që edhe mundësia e marrjes së kësaj shtetësie të jetë shumë e vogël.