Zhduket nga radari një avion në Kroaci, dyshohet se është rrëzuar

Një avion i vogël sportiv është zhdukur të shtunën nga radari në zonën e Kroacisë mes Jezeranit dhe Modrushit, shkruan “Jutarnji”.

Sipas mediave kroate, anëtarët e Shërbimit Kroat të Shpëtimit Malor (HGSS) filluan kërkimet nga stacionet Gospiq, Ogulin, Karlovac dhe Zagreb.

Qendra Operative e Mbrojtjes Civile është njoftuar se sot rreth orës 12:30 në veri të Jezeranit, nga radari është zhdukur një aeroplan i vogël “Cirrus 20” me markë PHYMC, i cili po fluturonte nga Maribori në Pula.

Duke qenë se është zhdukur nga radari, një nga supozimet është se avioni është rrëzuar.

Aeroplani dyshohet të jetë zhdukur në zonën e komunës së Josipdolit, në afërsi të Modrushit.