Zhduken “parimet” e Kurtit: Pjesë e VV-së bëhet edhe xhaxhai i Albulena Graincës, biznesmeni që akuzohej si mafioz i betonit

Lulzim Grainca, familja e të cilit akuzohej si pjesëmarrëse në “mafinë e betonit” në Ferizaj, ka kaluar nga Partia Demokratike e Kosovës në Lëvizjen Vetëvendosje.

Xhaxhai i deputetes Adelina Grainca, e cila kaloi nga PDK-ja në LVV pak pas pjesëmarrjes në seancën e Kuvendit të Kosovës më 4 prill kur është votuar Vjosa Osmani si presidente, është asamblist në Kuvendin Komunal të Ferizajt.

Por, të premten ai ka ndërruar grup brenda Kuvendit Komunal. Ka kaluar nga PDK-ja në LVV-në e Albin Kurtit.

Familja e Graincës akuzohej si pjesë e “mafisë së betonit” në Ferizaj nga Dimal Basha, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin e Kosovës.

Dimal Basha, që vjen nga Ferizaj, i kishte akuzuar familjarët e Adelina Granicës si elementë që kontrollojnë mafinë e ndërtimit në atë komunë.

Drejtori i Gazetës Insajderi, Parim Olluri, dy muaj më parë kishte zbuluar se Basha është paditur nga Mustafë Grainca, një pjesëtar i familjes Grainca në Ferizaj, për akuzat e tij ndaj familjes për lidhje me të ashtuquajturën “mafi të betonit”.