Diplomacinë duhet shikuar përtej kuptimit të ngushtë të fjalës dhe historia na dëshmon që shpeshherë shtetet, për të balancuar forcat në rrafshin diplomatik, përdorin edhe mjete tjera për të arritur qëllime të caktuara.

Deri sot, Serbia, pavarësisht marrëveshjeve të ndërmjetësuara nga palë të treta, siç është fjala për Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, as edhe njëherë nuk ka bërë përpjekje për t’i respektuar qoftë edhe minimalisht obligimet që kanë dalë nga ato marrëveshje. Në anën tjetër, Kosovës i është kërkuar që gjithnjë të jetë pala që nënshtrohet ndaj marrëveshjeve, pa marrë as edhe një përfitim në kompenzim. Ta kuptojmë drejt, marrëveshjet, pra kompromiset që formalizohen në dokumente të shkruara, janë detyruese për palët që hyjnë në obligime reciproke, dhe këto obligime nuk mund të arrihen asnjëherë, nëse me to nuk arrihet plotësimi i aspiratave të secilës palë.

Shikuar në rrafshin politik, diplomacia serbe ka arritur të gjejë përkrahje të vazhdueshme tek faktori ndërkombëtar, ndërsa Kosova, duke mos gëzuar akoma respektin që i takon si entitet shtetëror në botë, ka qenë dhe vazhdon të jetë e injoruar dhe i vendosen rregullisht standarde të dyfishta në raport me Serbinë.

Shembuj konkret kemi sa të duam. Mosrespektimi i marrëveshjeve nga ana e Serbisë, lufta e egër diplomatike për pengimin e Kosovës në anëtarësim në organizatat ndërkombëtare, shkaktimi i trazirave të rregullta, sidomos para raportimeve të Këshillit të Sigurimit në OKB, lufta ekonomike, e tjerë e tjerë, bëjnë që Kosova të jetë e brishtë për t’ju kundërvënë shtetit serb, i cili siç shihet, po përdor artilerinë ekonomike, politike, diplomatike e besa do ta përdorte edhe atë ushtarake po pati rast.

Megjithatë, ne jemi shtet dhe si të tillë duhet të sillemi. Reciprociteti në diplomaci përmes goditjes së pikave të dobëta të kundërshtarit, është gjë tejet normale dhe shumë studiues e vlerësojnë si veprim në vetmbrojtje dhe detyrues ndaj palës tjetër për të respektuar raportet reciproke (balancimi i forcave).

Veprimi i Qeverisë Haradinaj për të vendosur taksë prej 10% ndaj të gjitha produkteve me origjinë në Serbi dhe Bosnjë e Hercegovinë (përjashto këtu brendet ndërkombëtare), ka goditur rëndë importin e mallrave serbe në Kosovë (shih statistikat në http://ask.rks-gov.net/ dhe https://dogana.rks-gov.net/). Kjo ka pasur një efekt të menjëhershëm në rritjen e buxhetit të shtetit, por edhe rënien e mallrave të importuara nga këto dy vende. Parë në rrafshin ekonomik, Serbia dhe Bosnja e Hercegovina po marrin më pak para nga qytetarët e Kosovës, pra tregu i tyre tek ne është reduktuar. Dhe kjo nuk është e vetmja masë e ndërmarrë nga ne. Kemi edhe vendimin e MTI-së për ndalimin e produkteve, përmbajtja e të cilave nuk e konsideron Kosovën si shtet dhe kjo përveç Serbisë, ka goditur edhe vende të tjera që politikisht janë kundër shtetit tonë. Ky duhet të jetë vetëm fillimi i balancimit të forcave, për të detyruar vendet tjera që, nëse jo të na përkrahin, të paktën të shohin interesat e tyre ekonomike dhe të ndalojnë fushatat e tilla kundër nesh.

Normalisht, kuptohet që nuk jemi shtet me fuqi të tillë që t’i detyrojmë vendet e tjera të na njohin politikisht si entitet i pavarur shtetëror, por në bashkëpunim me miqtë tanë ndërkombëtar, mund të gjejmë hapësira për të shtyrë përpara procese që na vendosin në nivel të barabartë me vendet e tjera dhe njëkohësisht të ndërtojmë aleanca ku mund të gjejmë mbështetje për t’i tejkaluar sfidat e sotme. Kjo mund të bëhet duke investuar në krijimin e klimës së tillë që stimulon prodhimin vendor, që nxit tregtinë me vende të tjera (kuptohet përveç Serbisë) për të plotësuar mungesat në treg dhe për të reduktuar mundësinë e inflacionit, për të lidhur marrëveshje që sjellin investime në arsim e shëndetësi, për të zhvilluar infrastrukturën në të gjitha segmentet e saj (kjo krijon automatikisht efekte shumëdimensionale në zhvillimin e bizneseve vendore dhe tregtisë ndërkombëtare), për të forcuar aspektin e sigurisë dhe të drejtësisë (përmes krijimit urgjent të ushtrisë dhe zhvillimin e agjencive të tjera që ndihmojnë ruajtjen e rendit dhe parandalojnë trazirat që shkaktohen nga agjenturat e huaja) si dhe më kryesorja, për të ndjerë dorën e shtetit secila familje, secili qytetar i Republikës.

Është fakt që ndryshimet nuk mund të bëhen si me shkop magjik, por edhe duhet kuptuar vendimet jopopuliste, qëllimi i të cilave shkon përtej interesave të pozitës apo opozitës. Pra, duhet vazhduar me vendime që evoluojnë gradualisht në përmirësim të jetës së qytetarëve dhe krahas kësaj edhe shtetësisë së Kosovës. Kjo nënkupton që një tjetër rritje takse, po supozojmë prej 25%, ndaj prodhimeve serbe, ndonëse mund të ketë disa efekte statistikore në rritje çmimesh, kjo do të rrisë balancin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, sidomos në kuptim të presionit për të ndryshuar qasjen diplomatike. Mund të mos i pëlqejë, sidomos disa elementëve të huaj, mund të duket shkelje e CEFTA-s apo 1001 marrëveshjeve të tjera, por Kosova ka të drejtën e luftës diplomatike duke përdorur edhe luftën ekonomike si mjet demokratik. Dhe jo vetëm, kemi edhe mundësi të tjera, që ekspertët mund t’i vlerësojnë si 1) ligjore, 2) të mundshme dhe 3) efektive, në imponimin e një sjellje tjetër ndaj shteteve të caktuara, që në rastin tonë është Serbia dhe argatët e saj.

Në fund, duhet krijuar një atmosferë unifikuese në mes eksponentëve politikë, për të shtyer përpara agjendat integruese dhe për të përkrahur vendimet që influencojnë shoqërinë, pavarësisht bindjeve politike. Qeveria Haradinaj, pavarësisht sfidave me të cilat po përballe, po dëshmon që është e popullit.

Ky duhet të jetë vetëm fillimi i ndryshimit të qasjes kushtëzuese. Jemi shtet dhe duhet të sillemi si të tillë.